Dokumentet historike dhe arkivat e Shkupit, një qendër e hershme iliro –shqiptare, kanë qenë një pjesë e historisë së munguar. Drejtori i Përgjithshëm i Arkivit të Shtetit, Ardit Bido, ka vendosur ta plotësojë këtë boshllëk të madh me rastin e Vitit të Skënderbeut.

Ky vit në Arkivin e Shtetit në Tiranë është projektuar që të manifestohet edhe me prurjet arkivore nga trevat shqiptare jashtë kufijve.

“Ne po konkretizojmë një bashkëpunim të frytshëm ndërmjet institucioneve të ruajtjes së trashëgimisë sonë kulturore dhe sidomos dokumentare nga të gjitha trevat ndërkombëtare. Do të botojmë pas 5 vitesh mungesë revistën “Arkivi shqiptar” që ridel si një botim i përbashkët i institucionit të Arkivave, i Agjensisë së Arkivave të Kosovës dhe nga viti i ardhshëm edhe i arkivave të shqiptarëve në Maqedoni, për të arritur një sinergji të plotë të përpjekjes sonë për të rivitalizuar identitetin kombëtar”, u shpreh Ardit Bido.

Bashkëpunimi do të kurorëzohet me prurje të veçanta nga Kosova, pohon Ramë Manaj, drejtori i Arkivave të Kosovës.

“Është kontribut në rritjen e hulumtimit në arkiva dhe hedhjen dritë në dokumente arkivore, si në arkivat e Prishtinës, në arkivën e Kosovës, në Arikvën e Tiranës si dhe në të gjitha arkivat e tjera shqiptare që kanë mbetur të pa hulumtuar dhe të pa ndryshuara”, thotë Manaj.

Ndërsa prurjet arkivore që vijnë nga Shkupi janë edhe më të veçanta, sipas drejtorit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, në Shkup.

“Shkupi si qendër e vazhdueshme Iliro-shqiptare normalisht që posedon edhe argumente për vazhdimësinë tonë në ato treva por edhe në përgjithësi të shqiptarëve. Ne kemi kryer takime të shumta në shkup. Kemi dokumente që datojnë deri në kohën e Justinianit, kemi objekte, kemi fakte të ndryshme”, shprehet Skënder Asani.

Viti i Skënderbeut në Arkivin e Shtetit ka nisur prej më shumë një muaji manifestimet. Në javën që shkoi projekti i Arkivave të hapura ka bërë të vërshojnë një bum vizitorësh e studiuesish në arkivin qendror të shtetit.

Er.K/Shqiptarja.com