5 pedagogë me gradën Doktor i Shkencave, rezultojnë pa shkollë të mesme. –
5 pedagogë me gradën Doktor i Shkencave, rezultojnë pa shkollë të mesme. –
Nga Gazeta Telegraf.
Skandali në Universitetin publik “Ismail Qemali në Vlorë
Skandali dhe e paprecedentë për arsimin shqiptar dhe botën akademike në 30 vitet e fundit në Shqipëri. 5 pesë pedagogë të universitetit kanë marrë gradën Doktor Shkencash, por rezultojnë pa shkollë të mesme, 1 tjetër nuk ka mbaruar shkollën e Lartë. MASR të kontrollojë dhe vërë para përgjegjësisë dekanë dhe rektorë, që kanë firmosur rekrutimin dhe të çojnë para drejtësisë abuzuesit.
Prej vitesh Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës është përfolur për korrupsion, nepotizëm, punësime me lidhje krahinore, klanore, por edhe për shpërdorim të detyrës nga ana e drejtuesve dhe ish drejtuesve të këtij institucioni për abuzim me fondet publike në shërbim të familjarëve të drejtuesve etj.
Por muajt e fundit në institucionin e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, ka plasur një tjetër skandal!
5 pesë pedagogë të këtij universiteti, pas verifikimit kanë rezultuar se kanë marrë gradën Doktor i Shkencave, por ndërkohë rezultojnë se nuk kanë përfunduar shkollën e mesme, apo nuk kanë përfunduar universitetin? Pedagogët në fjalë prej shumë vitesh kanë qenë pjesë e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, me sa duket ata janë me eksperiencë në këtë universitet.
Jo vetëm kaq, por universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, është bërë objekt i shumë shkrimeve edhe për faktin se, sipas të dhënave, ka edhe pedagogë të tjerë me precedentë penale. Ministria e Arsimit është në dijeni të të gjithave këtyre bëmave, pasi ajo, jo vetëm që është sinjalizuar për çdo individ, por ajo disponon edhe databazën e të dhënave për çdo individ që punësohet si pedagogë. Pra, Ministria e Arsimit ka mbyllur sytë para gjithë kësaj katrahure, që po ndodh në Universitetet publike shqiptare, sepse është pikërisht ministria e Arsimit, apo deputetët e ndryshëm që fusin hundët sa herë që ka zgjedhje në universitetet publike, duke zgjedhur rektorët, apo dekanët e ndryshëm, mjafton që këta të jenë të bindur të partisë, e për sa i përket formimit, moralit apo integritetit të tyre s’ka problem!
Pra, rasti i 5 pedagogëve të universitetit “Ismail Qemali”, ku kanë marrë gradën Doktor Shkencash dhe rezultojnë që nuk kanë përfunduar shkollën e mesme, apo shkollën e Lartë është i paprecedentë këto 30 vite. Kjo vërteton se Arsimi në Shqipëri jo vetëm nuk ka rilindur, por ai po varroset njëherë e përgjithmonë!
Ministria e Arsimit në Shqipëri është inekzistente, pasi ajo ka detyrimin ligjor të kryejë kontrollin mbi rekrutimin dhe të shikojë çdo CV të pedagogëve që rekrutohen në universitetet publike, pasi ata paguhen nga taksat e qytetarëve shqiptarë!
Natyrisht faji bie mbi rektorët dhe dekanët që kanë i kanë rekrutuar këta pedagogë dhe organi i akuzës duhet të nisë hetimet dhe përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë.