54% e të intervistuarve shqiptarë e shohin veten jashtë vendit në pesë vitet e ardhshme.

Blogu i UdhëtaritNjoftime ShtypiPolitikaShoqerore

54% e të intervistuarve shqiptarë e shohin veten jashtë vendit në pesë vitet e ardhshme.

21 Nentor 2023

“Më shumë se gjysma duan të ikin”, sondazhi i publikuar nga BIRN zbulon arsyet e emigrimit: Korrupsioni dhe keqqeverisja

Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare prezantoi ditën e martë në një tryezë të rrumbullakët gjetjet e sondazhit kombëtar mbi perceptimet, tendencat dhe pritshmëritë e shqiptarëve në lidhje me migracionin. Albert Rakipi, drejtor i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, e quajti valën aktuale të emigracionit si një kërcënim i sigurisë në vetvete, duke e krahasuar më dy valët e mëparshme të viteve ’90 dhe ’97, që ishin thjesht simptoma të një shteti të dobët.

“Për të parën herë, migracioni po kthehet në një kërcënim të sigurisë në vetvete. Vetëm përgjatë dekadës së fundit 400 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi”, tha Rakipi gjatë fjalës së tij.

Studimi me titullin: “Migracioni, shpopullimi dhe destabiliteti: kriza e heshtur”, i kryer në bashkëpunim me fondacionin Hanns Seidel Stiftung, gjatë muajit Prill përfshiu 1200 pjesëmarrës nga Shqipëria dhe hedh dritë mbi dëshirat, aspiratat dhe planet e tyre në lidhje me emigrimin.

Gjetjet e studimit tregojnë një dëshirë të madhe të shqiptarëvë për t’u larguar nga vendi nëse do u jepej mundësia.

“70% e të intervistuarve kanë deklaruar se do emigronin nga Shqipëria nëse do e kishin mundësinë, teksa 28% e tyre kanë menduar ta lënë përgjithmonë vendin”, tregojnë gjetjet e studimit.

Sipas autorit të sondazhit, Andi Balla, shifra më shqetësuese është pikërisht ajo pjesë e popullsisë të cilët kanë shumë gjasa të largohen nga vendi brenda një viti.

“19% e atyre që kanë shprehur dëshirën për t’u larguar kanë shumë gjasa të largohen realisht brenda 12 muajve”, theksoi Balla.

Sondazhi zbuloi se prej arsyeve kryesore që i shtyn qytetarët shqiptarë të largohen nga Shqipëria drejt një destinacioni tjetër renditet “kërkimi për një jetë më të mirë”.

“49% e të intervistuarve janë shprehur se kërkojnë një jetë më të mirë, teksa arsyeja tjetër është ajo e të ardhurave financiare dhe e punësimit”, citojnë gjetjet e raportit.

Sondazhi gjithashtu tregon se 54% e të intervistuarve e shohin veten jashtë Shqipërisë në pesë vitet e ardhshme.

“Sigurisht kjo është disi jo realiste dhe e pamundur, por kjo tregon prirjen e popullsisë për t’u larguar”, tha Andi Balla.

Të intervistuarit kanë listuar si probleme kryesore të shoqërisë aktuale papunësinë, korrupsionin, keqqeverisjen dhe mungesën e mundësive në vend, teksa 58% e tyre janë të mendimit se e ardhmja e Shqipërisë po shkon në drejtim të gabuar. /Birn/

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *