55 gjyqtarë në Belgjikë do të kalojnë dy ditë në burg, – Ja shpjegimi
18 Shtator 2022
Pesëdhjetë e pesë gjyqtarë në Belgjikë zgjodhën të kalonin një fundjavë të veçantë: ata u mbyllën vullnetarisht në një burg në rajonin e Brukselit për të parë se si është jeta e një të burgosuri, thuhet në një deklaratë të ministrit belg të drejtësisë Vincent van Quinkenborn.
Gjyqtarët mbërritën mëngjesin e sotëm në orën 09:00 me kohën lokale në burgun e ri Haren, i cili mund të strehojë 1,190 të burgosur dhe është planifikuar të hapë dyert më 30 shtator, tha një zëdhënëse e burgut për Agence France-Presse.
Gjyqtarët do të kenë të njëjtin trajtim si të burgosurit deri në përfundimin e “eksperimentit” nesër në orën 16:00, siç sqaroi ajo.
“Gjyqtarët padyshim e dinë se si është të jesh brenda një burgu, por përjetimi I kësaj përvoje u ofron atyre një mundësi unike, e cila mund t’i ndihmojë ata të vendosin dënime me vetëdije të plotë,” vazhdoi ministri.
Ata do të ndjekin orarin ditor të të burgosurve, nuk do të lejohen të përdorin celularët, do të ndjekin të njëjtën dietë dhe do të kenë të njëjtat përgjegjësi si të burgosurit.
Ndër të tjera ata do të punësohen në kuzhinë dhe lavanteri, siç theksohet në njoftim.
Gjyqtarët do të jenë në gjendje të ndalojnë eksperimentin në çdo kohë.
“Kjo padyshim do t’i ndihmojë ata të mendojnë nëse heqja e lirisë është zgjidhja më e mirë për dikë që ka bërë një gabim në jetën e tij,” tha ministri.
Përveç kësaj, është edhe një “provë” e mirë për drejtuesit e burgut pasi burgu do të inaugurohet pas dy javësh.
Nisma është një ide e përbashkët mes Ministrit të Drejtësisë dhe Institutit të Trajnimit Gjyqësor.
Gazeta Sot