6 vrasje në 6 ditë, nga atentatet mafioze tek krimet në familje! Sociologu: – Kriminelët e kanë kuptuar uljen e forcës goditëse të shtetit, jemi të militarizuar
6 vrasje në 6 ditë, nga atentatet mafioze tek krimet në familje! Sociologu: – Kriminelët e kanë kuptuar uljen e forcës goditëse të shtetit, jemi të militarizuar
7 qershor 2021
Në një kohë që Shqipëria po bëhet gati për të pritur turistët, disa nga qytetet bregdetare po përballen me krime të rënda.
Në 6 ditët e para të këtij muaji kanë ndodhur gjithsej 6 vrasje me 6 viktima.
3 prej tyre kanë qenë atentate të tipit mafioz e që ende nuk janë zbardhur nga policia.
Vrasja e parë ndodhi më 1 qershor, në Tepelenë.
U ekzekutua tregtari Çajup Selimi. 52 vjeçari iu bë pritë në shkallët e pallatit ku jetonte. Një tjerr vrasja pa autor është dhe ajo e Shkëlzen Velajt në Vlorë.
Ndaj 35-vjeçarit u zbraz një karikator kallashnikovi. Si në rastin e Tepelenës, dhe Velaj u vra në derë të shtëpisë.
Pak minuta pas kësaj ngjarje, një tjetër krim u raportua nga policia.
Në fshatin Fier i Ri të Lushnjës, Rako Qorri u vra nga komshiu i tij, ndërsa i plagosur mbeti edhe i biri. Ngjarja ndodhi për shkaqe banale.
Më 4 qershorit Tirana u trondit nga një tjetër vrasje.
Në një lokal në afërsi të Gjykatës Civile, Kudret Salia u vra nga vjehrri i tij, Mexhit Picari. Ky i fundit u arrestua një orë pas krimit. Në pranga u vu edhe vajza e tij, Dhurata si bashkëpunëtore. Ngjarja ndodhi për shkak familja e saj nuk pranoni divorcin e kërkuar nga Kudret Salia.
Mbrëmja e kësaj të diele u mbyll me dy viktima.
Gramoz Memaj vritet në një atentat në Ksamil, ndërsa në Shkodër, Diana Vukaj u qëllua për vdekje nga vëllai i saj.
Sociologu Gëzim Tushi, liston një sërë arsyesh ku më kryesoren sheh pandëshkueshmërinë nga shteti që fuqizon kriminelët dhe indiferentizmin e shoqërisë. Tushi shkon që në gjenezë të këtij masivizimi të kriminalitetit, siç ai e ka quajtur.
Tushi e sheh ngërçin që te shkolla, e që kulom me zvarritjen e Reformës në Drejtësi.
Tushi tha situata është alarmante, kjo pasi jo vetëm që kemi një numër të lartë vrasjes, por ajo që e bën më të rëndë janë motive, sipas tij krejtësisht banale.
“Një nga arsyet është zvarritja Reformës në Drejtësi, ulja e forcës goditëse të shtetit, kriminelët e kanë kuptuar këtë. Ne jemi shoqëri që kemi dalë nga diktatura dhe njeriu ose ka ndërgjegjen e tij që e ndalon të bëjë krim ose frika nga ligji dhe kjo e bën që krimi të përvëlojë. Pjesa më e madhe e krimit është krim në familje, ne nuk po merremi me edukimin e njerëzve, po gëlojnë bulizmi, njeriu që e ka mendjen vetëm te paratë, shkolla bën pak dhe mos harroni që në shkollë mund të dalin mirë në rezultate, por mund të dal më pas dikush që vret, ka një zgjerim të madh të lëndëve psikotrope. Shoqëria shqiptare po kthehet në spital psikiatrik, nga këto njerëz, janë të frikshëm kur i sheh në rrugë, po shtohet numri i atyre që nuk po shkojnë në shkollë, dhe ato bëjnë dhe krime, Po bëhet shumë i lehtë profesioni i vrasësit me pagesë. Krimi në shoqëri jo vetëm është masivizuar, por edhe banalizuar. I ka të gjitha format, me thikë, me armë, me helm. Ky është një alarm social i vërtetë që duhet të prekë politikën që të mos qëndrojnë indiferentë. Të humbësh jetën për një gotë raki është e llahtarshme, kjo është botë kafshësh”, tha sociologu.
Në një tjetër këndvështrim, sociologu e konsideron shqipërinë shqiptare të ‘militarizuar’ që shumica kanë armë në shtëpi si edhe shtetin e paaftë që t’i vërë në kontroll.
“Ne jemi të militarizuar, nuk e di sa mund të jetë numri i armëve që mund të ketë në shtëpi, një shtet që nuk ka fuqi që të mbledhë armët, sot çdo njeri që konfliktet i duhen vetëm 10 minuta të marrë kallashin, mitralozin dhe të vrasë. Autoritet i shteti është i nëpërkëmbur, parlamenti të mos merret me llogje kavaje me dialoge bosh, por nuk merren me problemet që ka shoqëria shqiptare, jo kostumet firmato të deputetëve apo e grave parlamentare që nuk shqetësohen për këtë problem”, tha ndër të tjera Tushi.
Vrasjet në 6 ditë:
Data 1 vritet Çajup Selimi
Data 3 vritet Shkëlzen Velaj
Data 3 vritet Rako Qorri
Data 4 vritet Kudret Salia
Data 6 vritet Gramoz Memaj
Data 6 vritet Diana Vukaj
j.l./ dita