7 vende në Tokë që besohet se janë krijuar nga alienët. –
Planeti Tokë është shtëpi për shumë vende të mrekullueshme, vende që duket sikur sfidojnë aftësitë teknologjike të kohës, sepse ose janë shumë të mëdha, ose shumë të rënda ose shumë komplekse.
Kjo është edhe arsyeja se përse disa besojnë se ndërtues të lashtë si ata që krijuan piramidat e Egjiptit, ndiqnin një manual jashtëtokësorë. Ndoshta, sipas tyre, duart që ndërtuan këto objekte nuk ishin nga kjo botë.
Megjithatë, sado intriguese si ide, deri më tani nuk ka prova që sugjerojnë se alienët kanë vizituar planetin tonë.
Por kjo nuk do të thotë se këto vende nuk janë interesante e enigmatike në të njëjtën kohë. National Geographic sjell 7 prej tyre, që datojnë më mijëra vite më parë.
Sacsayhuamán – Kjo kala 1 mijë vjeçare ndodhet jashtë kryeqytetit të vjetër Inca të Cusco, në Andet peruviane. E ndërtuar me gurë të mëdhenj ajo duket si një pazël gjigante. Disa besojnë se Sacsayhuamán mund të jetë ndërtuar nga një civilizim i lashtë që u ndihmua nga jashtëtokësorët.
Linjat Nasca – Në një pllajë të lartë dhe të thatë rreth 200 milje në juglindje të Limës, më shumë se 800 linja grafike të drejta janë të vizatuara në shkretëtirën peruviane. Ato formojnë rreth 300 forma gjeometrike dhe figurat e 70 kafshëve, përfshirë një merimangë e majmun. Gjithçka mund të dallohet fare qartë nga qielli dhe këto vizatime në Nasca besohet se janë mbi 2 mijë vjeçare. Për shkak të saktësisë sesi janë ndërtuar dhe hapësirës që zënë, shumë besojnë se ato kanë ardhur nga dora e alienëve.
Piramidat e Egjiptit – Jashtë Kajros, në Gizë, piramidat e famshme të Egjiptit shfaqen në mes të shkretëtirës. Të ndërtuara më shumë se 4500 vite më parë, ato ishin varret monumentale të mbretëreshave dhe faraonëve të lashtë.
Por si i ndërtuan egjiptianët këto piramida, një gur i së cilës peshon të paktën 2 ton? Misteri ende nuk është zgjidhur, ndërsa figurat astrologjike të tyre për shumë janë shkak për të besuar se u ndërtuan nga alienët.
Stonehenge – Një rreth i madh gurësh, disa prej të cilëve peshojnë deri në 50 ton ndodhen në Salisbury të Anglisë. I njohur si Stonehenge, ky monument frymëzoi autorin zvicerian Erich von Daniken që të sugjeronte se ishte një model i sistemit diellor që funksiononte gjithashtu si një udhërrëfyes për zbritjen e alienëve, në fund të fundit si përfunduan ndryshe këto gurë masivë në këtë vend?
Deri më tani askush nuk e di ekzaktësisht kuptimin e Stonehenge, megjithatë shkencëtarët kanë arritur të provojnë që është e mundur të ndërtosh një objekt të tillë duke përdorur teknologjinë, që supozohet të jetë rreth 5 mijë vjet e lashtë.
Teotihuacán – Teotihuacán, që do të thotë “Qyteti i Zotërave” është një qytet i lashtë në Meksikë, i njohur për tempujt piramidë e shenjat astrologjike.
I ndërtuar mbi 2 mijë vite më parë, mosha, madhësia dhe kompleksiteti i Teotihuacán, ndonëse shumë duan të besojnë se është aliene, është krijuar nga dora e njeriut. Ky qytet mund të mbajë në të mbi 100 mijë persona dhe shkencëtarët prej shekujsh besojnë se mund të jetë ndërtuar nga një miks kulturash si majat e zapotekët.
Ishulli i Pashkëve – Enigma që rrethon moia, figurat e mëdha prej guri në Ishullin e Pashkëve në Kili vijon të ngjallë teori nga më të ndryshmet. Si ia dolën Rapa Nui të krijojnë këto figura më shumë se 1 mijë vite më parë dhe si përfunduan në këtë vend? Të gdhendura nga guri, 900 figurat njerëzore peshojnë rreth 14 ton.
Fytyra në Mars – Një ditë njerëzit do të kenë mundësinë që të vizitojnë Marsin, e me këtë rast të shohin nga afër edhe këtë fytyrë. E zbuluar për herë të parë nga sonda Viking 1 në 1976 –ën, ajo është rreth 3 kilometra e gjatë dhe ndodhet në rajonin e quajtur Cydonia.
Në 2001, Nasa e analizoi këtë fytyrë duke përdorur një kamera me rezolucion të lartë dhe dalloi se në fakt nuk kemi të bëjmë me fytyrë, por një tjetër masë toke, të zakonshme në sipërfaqen e planetit të kuq.