“70% e delegatëve kanë firmosur për Kuvendin e 11 Dhjetorit, por do të jenë më shumë”. – Dega e PD Shkodër publikon emrat pro “Foltores”
“70% e delegatëve kanë firmosur për Kuvendin e 11 Dhjetorit, por do të jenë më shumë”.
– Dega e PD Shkodër publikon emrat pro “Foltores”
4 Dhjetor 2021
Përmes një prononcimi për media nga ambientet e jashtme të selisë blu, përfaqësuesja e Partisë Demokratike Dega Shkodër, Irena Shestani, bëri me dije se 70% e delegatëve të kësaj force politike kanë firmosur pro mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të thirrur nga ish-kryeministri Berisha, përmes mbledhjes së firmave të delegatëve.
Shestani theksoi se nga 330 delegatë në këtë degë, kanë firmosur formularët 232 prej tyre, por sipas saj pritet që kjo shifër të jetë më e lartë pasi mbledhja e firmave po vijon ende.
“Jemi këtu për të bërë transparencën e formularëve dhe për të përçuar mesazhin e anëtarësisë së degës Shkodër të cilët njohin Kuvendin e 11 dhjetorit. Dega Shkodër ka firmosur në masën 70% formularin, e kanë firmosur me kënaqësi, duke u nisur dhe nga nevojat ku ne ndodhemi.
Ne jemi në masën 70%, por kemi një problem se 10% e delegatëve kanë shprehur dëshirën për ta firmosur por nuk kanë mundur pasi kanë qenë jashtë.
Duhet të theksojmë se vijon firmosja dhe ne jemi shumë më shumë se 70%.
Shkodra ka në total 330 delegatë, janë 232 të cilët kanë firmosur. 30 prej tyre janë jashtë. Gjej rastin t’i bëj thirrje të gjithë delegatëve të qarkut Shkodër të bëhen pjesë e kuvendit legjitim të thirrur nga anëtarësia, duke u bazuar në statutin e Partisë Demokratike”, tha Shestani.
Në mbështetje të kësaj shifre, kryetari i FRPD-së, Shkodër, zgjodhi të lexonte live përpara kamerave emrat e 232 delegatëve, të cilët kanë firmosur për mbajtjen e kuvendit më 11 dhjetor.
Gazeta Panorama