70 vjet në pritje për t’u ulur në fron. – Cfarë mbreti do të jetë Charles?
3 Qershor 2022
Për 70 vite, mbretëresha Elizabeth II ka qenë në fron.
Por pas ndarjes së saj nga jeta, kur të jetë momenti i ndryshimit të madh, të gjithë pyesin: Çfarë mbreti do të jetë Charles?
Shumë ekspertë të monarkisë, njohës e studiues të saj, thonë se 74-vjeçari, i cili do të kurorëzohet mbret pas vdekjes së nënës së tij, nuk do të jetë i aftë që publikisht, të kapërcejë ndjenjën e zemërimit që ka shkaktuar pas ndarjes me Dianën e ndjerë.
Të tjerë mendojnë se ashtu si prindërit e tij, edhe Charles do të bëjë një punë ekselente, ndaj duhet mbështetur, edhe pse nuk është një figurë e dashur në publik.
Diana humbi jetën në një aksident automobilistik në Paris në vitin 1997, pak vite pas ndarjes ende enigmatike me Princin Charles. Vite më vonë, ai do të martohej me Camille-n, sot Dukesha e Kornuall, të cilën vetë Diana e kishte akuzuar për dështimin e martesës së saj, një lidhje kjo e gjatë dhe e portretizuar më së miri në serialin e famshëm “The Crown”.
Në shkurt të këtij viti, Mbretëresha Elizabeth II tha se dëshironte që Camille të stilizohej që tani si bashkëshortja e Mbretit, kur ky i fundit të ngjitet në fron, duke çimentuar kështu vendin e saj në familjen mbretërore, pasi për dekada me radhë u quajt si e “huaja”.
Charles, i cili shpeshherë është përfshirë edhe në debate publike për çështje me rëndësi siç janë ato të mjedisit apo arsimit, gjithsesi nuk ka arritur të fitojë zemrat e britanikëve.
Por ndoshta mospërfshirja direkte në agjendën zyrtare, edhe në marrëdhënie me qeverinë e Londrës, ka bërë që mbështetja për Charles-in të mos jetë maksimale. Historiani dhe autori i biografisë më të fundit “The Queen”, Matthew Dennison, thotë se Charles është pasqyra më e mirë e prindërve të tij, Elizabeth II dhe Philipp.
Princi Charles lindi në Buckingham Palace më 14 nëntor 1948. Ai ishte vetëm 4 vjeç kur gjyshi i tij, George VI, u nda nga jeta dhe nëna e tij u ngjit në fron në moshën 25-vjeçare.
Charles është zyrtarisht Princi që ka pritur më gjatë se çdo paraardhës i tij, në më shumë se 1 mijë vjet, për të pasuar nënën në krye të monarkisë. Por një ditë, ndoshta edhe në të 80-tat, Charles do të jetë mbret…
Gazeta Dita