Me Shqipërinë jemi ende në gjendje lufte. Cipras e pohon-

May 18, 2018.

-Kryeministri grek Aleksis Cipras ka pranuar se Shqipëria dhe Greqia janë ende në gjendje lufte, duke deklaruar se zgjidhja e kësaj çështje është pjesë e paketës së çështjeve të mbetura pezull nga Lufta e Dytë Botërore.

Ai shprehet optimist se dy vendet do përmbyllin marrëveshjen për Zonën Ekskluzive Ekonomike brenda qershorit.

“Negociatat me Shqipërinë ishin më të vështira se me Maqedoninë, na kanë marrë më shumë kohë. Imagjinoni që kemi për të zgjidhur çështje që janë të hapura që nga Lufta e Dytë Botërore. Jemi ende në gjendje lufte. Është çështja e Zonave Ekskluzive Ekonomike, një çështje e rëndësishme si dhe të tjera mes të cilave edhe respektimi i të drejtave të minoritetit grek. Jemi në rrugë shumë të mbarë, nuk dua të them i sigurtë, por jam shumë optimist se do të kemi zhvillime pozitive për këto çështje brenda qershorit”theksoi kreu i qeverise greke.

Lidhur me qëndrimin e Greqisë për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë, Cipras thotë se pengesë nuk janë problemet dypalëshe me Greqinë, por qëndrimi i disa vendeve që kanë mendime të ndryshme për këtë çështje – raporton In.gr, cituar nga Respublica.

“Tani nëse Shqipëria do të marrë dritën jeshile për të filluar negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, kjo nuk varet vetëm nga zgjidhja e problemeve tona dypalëshe prej nesh. Ka vende që kanë mendime të ndryshme për këtë çështje dhe ne po kërkojmë të gjejmë zgjidhje për këtë”-deklaroi Cipras.

Kujtojme që Kryeministri grek kishte planifikuar një vizitë që në muajin Prill në Shqipëri për të firmosur dokumentin e partneritetit strategjik, por kjo vizitë u shty për shkak të mosdakordësimit në kohë të disa çështjeve.