Me dyer të mbyllura, Kadare në Akademinë e Shkencave, tërheq “Çmimin e Karrierës” 2017’ –
Me dyer të mbyllura, Kadare në Akademinë e Shkencave, tërheq “Çmimin e Karrierës” 2017’ –
Sekretari i Akademisë së Shkencave i dorëzoi shkrimtarit të madh Ismail Kadare Çmimin e Karrierës akademike-2017
Shkrimtari Ismail Kadare duke marre Çmimin e Karrierës” sot ne Akademinë e Shkencave
Një çmim që nuk i nxë meritat tuaja, por vetëm i shënjon ato për të tjerët.
Vaso Tole sekretari i Akademisë së Shkencave
Me këto fjalë ia ka dorëzuar sot sekretari i Akademisë së Shkencave shkrimtarit të madh Ismail Kadare Çmimin e Karrierës akademike-2017. Edhe pse ceremonia e dhënies së çmimeve vjetore të Akademisë së Shkencave 2017 u organizua më 12 prill 2018, Ismail Kadare nuk ishte i pranishëm për të tërhequr çmimin.
Çmimi iu dha këtë të premte në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. U zhvillua një ceremoni e mbyllur për mediet, -pohojnë burime nga institucioni, -sepse kështu ka preferuar vetë Kadare. Ndërsa mbajti fjalën e rastit, sekretari i Akademisë së Shkencave, Vaso Tole u shpreh se:
Ky çmim është kurora e çmimeve shkencore kombëtare vjetore të akademisë sonë, krahas çmimit Çabej, atij Radovicka dhe çmimit për kërkuesin e ri më të suksesshëm. Megjithatë, Çmimi i Karrierës, që juria e posaçme vendosi t’ju akordohet Ju, është thjesht një shenjë nderimi krahasuar me çmimet e mirënjohjet e larta ndërkombëtare dhe titujt e nderit që keni fituar për merita të veprës Suaj ngado nëpër botë. Kur juria mori këtë vendim, ne të gjithë kemi menduar njësoj: -që emri Juaj, vepra Juaj, janë të tilla që asnjë çmim nuk i mbulon dot!
Me tej, Tole tha se krijimtaria e Kadaresë ishte dhe mbetet “buka” jonë shpirtërore, e cila ushqente dhe ushqen imagjinatën, shtynte dhe shtyn, zgjeronte dhe riformatonte përmasat e munguara të lirisë individuale të çdo shqiptari. Tole ka ndarë me Kadarenë edhe shqetësimet që janë ngritur kohët e fundit për reformim e akademisë. Duket se dyert e mbyllura kanë shërbyer edhe për të folur rreth çështjes së reformimit të Akademisë së Shkencave mes tij dhe anëtarëve të saj.
Në emër të kësaj përgjegjësie jemi përfshirë në një proces vetëreformimi që ka qenë kryefjala e kësaj periudhe, me qëllim që Akademia e Shkencave të jetë në funksionet e veta të ligjshme, si institucioni që bashkon dijetarët, mendimtarët, shkencëtarët e krijuesit me rol të shquar intelektual në shoqëri; si institucioni që vetëpërtërihet me studiues të rinj që i sigurojnë asaj të ardhme; si institucioni që mbështet zhvillimin ekonomik të vendit e që mbron nderin, dinjitetin dhe deontologjinë shkencore; si institucioni që ruan përbërëset themelore të identitetit shqiptar: gjuhën tonë të përbashkët, traditën tonë origjinale, historinë dhe letërsinë shqipe.
Vaso Tole sekretari i Akademisë së Shkencave
Kadare ka shprehur mirënjohjen dhe ka biseduar me për problem të ndryshme të imazhit të vendit tonë në botë, por “fjala e tij nuk është protokolluar”, shprehen burime nga Akademia e Shkencave.