9 mijë maturantë duan të ikin jashtë, jemi të parët në rajon. –

24 prill 2019 09:58

Kërkesa e shqiptarëve për të studiuar jashtë vendin është në rritje. Nga të dhënat paraprake të Ministrisë së Arsimit rreth 9 mijë maturantë kanë deklaruar në formularin A1, se kanë nisur me procedurat e njehsimit të diplomave.

Ndërkohë që kjo shifër pritet të jetë më e lartë, pasi ky proces mbyllet në Shtator.

Shqipëria renditet e para në rajon për numër më të lartë të studentëve që zgjedhin për të studiuar jashtë, në raport me numrin e banorëve.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të UNESCO-s, vitin që shkoi 17 mijë e 397 të rinj shqiptarë studiuan jashtë vendit, prej tyre mbi 10 mijë vetëm në Itali.

Ndërsa destinacioni i dytë është Greqia me 1 633. Në këto dy shtete janë të përqendruar rreth 80% e studentëve shqiptarë jashtë.

Vihet re një tendencë në rritje e të rinjve që zgjedhin të studiojnë në Turqi dhe vendet arabe. Nga 471 të rinj që ndiqnin studimet në vitin akademik 2015-2016 në Turqi, numri i tyre ka arritur në 886.

Largimi i të rinjve është një alarm, pasi fatkeqësisht pjesa më e madhe e tyre nuk rikthehen më në Shqipëri për të dhënë përvojën e fituar në universitetet jashtë vendit.

o.j/dita