90 referues në Tiranë, Pinguli: Në kuvend do të diskutohet për gjuhën shqipe dhe historinë.
90 referues në Tiranë, Pinguli: Në kuvend do të diskutohet për gjuhën shqipe dhe historinë.
Presidenti i Kuvendit Ndërkombëtar “Vazhdimësia historiko-gjuhësore dhe etnokulturore e shqiptarëve përmes mijëvjeçarëve”, Stefan Pinguli, flet për “ReportTV” mbi takimin treditorë, që do të mbahet në Tiranë. 90 studiues nga e gjithë bota do të diskutojnë për teza të ndryshme në këto fusha.
7 Maj, 2019.
Biznesmeni Stefan Pinguli rrëfen se si do të organizohet Kuvendi i parë Ndërkombëtar “Vazhdimësia historike-gjuhësore dhe etnokulturore e shqiptarëve përmes mijëvjeçarëve” në Tiranë. Rreth 90 referues, akademikë, studiues, por edhe njerëz të thjeshtë do të trajtojnë tema të ndryshme në këto fusha përgjatë 3 ditëve në Muzeun Historik Kombëtar. Pinguli shprehet që nëpërmjet kësaj iniciative do të thuhen ato të vërteta, që deri më tani nuk janë thënë për arsye të ndryshme nga akademikët-zyrtarë.
“Ne kemi bërë disa konferenca. Por, kemi rreth një vit që përgatitemi për të organizuar këtë kuvend, që e nisëm si kombëtar, por doli ndërkombëtar për shkak të intereësit të madh të shqiptarëve kudo në botë, që ishin të interesuar. Përtej faktit, që edhe brenda vendit kemi shumë studiues, të cilët janë të ‘fshehur’ brenda mendimit se ‘secili mendon për vete’. Menduam që të zgjerojmë lirinë e mendimit, duke vendosur që ky kuvend të mos ketë një karakter thjesht shkencor, por edhe një karakter enciklopedik, që të hapë rrugën, të lirojë mendimin ndërkombëtar për të gjithë të vërtetat historike, që nuk janë thënë deri më sot”, shprehet Stefan Pinguli, president i kuvendit.
Në këtë kuvend do të ketë të ftuar, të cilët do të shprehin mendimet e tyre, qoftë edhe të kundërta me ato që njihen zyrtarisht.
“Mendoj se brenda këtyre kuadrove akademike ka njerëz shumë të ditur, por ne shpresojmë që të provokojmë ndjenjën kombëtare, të nxjerrim fillimisht mendimin e tyre më të mirë, të pa izoluar nga geni i famshëm psikologjik, që: “Kujdes mos thuaj atë që po themi ne të gjithë”. Unë besoj shumë se do të kemi prurje të jashtëzakonshme. Janë 90 referentë, që kanë teza shumë të rëndësishme. Kuvendi gjithashtu do të vërë në evidencë të gjithë shkrimtarët apo historianët me karakter akademik, për historinë, gjuhësinë edhe timologjinë e vendit tonë, sepse janë një grup njerëzish që nuk u është bërë jehonë pothuajse fare”, thotë Pinguli.
Gjatë kuvendit mendon Pinguli do të hidhen disa teza, por nuk do të ketë debate rreth tyre. Ndërsa, një vëmendje e madhe do t’i kushtohet veçanërisht tezave që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe.
“Unë besoj se dy nga tezat kryesore, që do të hidhen, por nuk do të debatohen, sepse nuk është një kuvend debati shkencor, por është një kuvend i lirisë së mendimit në lidhje me gjuhësinë, historinë edhe etimologjinë. Gjuha deri më sot është studiuar gjuha në formën krahasimore të saj. Korifenjtë e gjuhës, si Çabej, Domi etj., pa diskutim që kanë dhënë një kontribut të madh në këtë stil të gjetjes, edhe pse Çabej në shkrimet e tij, që çuditërisht nuk janë vënë në evidencë shkruan se: “Ne e dimë se çfarë kemi marrë nga bota, por nuk dimë se çfarë i kemi dhënë botës”. Mbi këtë bazë ka studiues të rinj, që e shohin gjuhën tonë jo vetëm si një gjuhë të krahasuar, të prodhuar nga folklorizmat e krahasuar, por edhe si një gjuhë embrionale, që në thelb të saj qëndron historia e gjuhëve. Pa qenë egoistë, që të themi se ne jemi embrioni i të gjithë gjuhëve. Një objektiv i dytë, që më shumë se kaq është liri mendimi, është se që nga viti 1972, Kongresi i Drejtshkrimit, që ne e vlerësojmë jashtëzakonisht, si bazë, por kemi 50 vite që nuk kemi bërë asgjë tjetër. Gjuha ka nevojë për t’u pasuruar, sepse mbi 50 për qind e vendit tonë është nga Veriu. Futja e strukturave të reja gege do ta pasuronte edhe do t’i bënte më të kuptueshëm studiuesit ndërkombëtarë, që arrijnë deri në një pikë për gjuhën, por që nuk shkojnë dot më tej, sepse nuk njohin pjesën tjetër të gjuhës”, thotë ai.
Ndërsa, sa i përket marrëdhënieve që ky kuvend do të ketë me institucionet e licencuara shtetërore, shprehet se:
“Ne kemi një kufizim të mendimit të lirisë së krijimit, edhe të konkurrencës së lirë të mendimit. Ne mendojmë patjetër se nëse nuk vihemi në rresht me akademikët apo shtetin nuk mund që të ecim, por jo. Shteti edhe tregu janë të barabartë, edhe të dy bashkë ecin në një vijë ose duhet krijuar mundësi, që të bashkëpunojnë në shkallë të aftësisë edhe të mbijetesës së mendimit. Unë besoj se një lloj lirie e këtij karakteri nuk bën gjë tjetër vetëm se prevalon mendimet pozitive, të cilat do të konkurrojnë. Një tjetër elementë, është edhe ai i transparencës. Ne e kemi mbështetur të gjithë këtë kuvend në kollonat themelore të demokracisë, ligjshmërinë, transparencën, përgjegjësinë edhe gjithëpërfshirjen”.
Kuvendi Mbarëkombëtar do të zhvillohet nga data 9 deri në datë 12 maj në Tiranë dhe organizohet nga Qendra Kombëtare “Rrënjët tona”.
Nga: Valeria Dedaj ,
Gazeta Shqiptarja. Com