A ballafaqohet miti me shkencën?
A ballafaqohet miti me shkencën?
Nga Moikom Zeqo
Iliada homerike është mit i letrarizuar. Poetikë e kujtesës. Fuqi e fosilizuar.
Por arkeologjia e vërtetoi që në shekullin XIX se Ilioni-Troja ekziston, ka ekzistuar si substancë historike. Po si qëndron e vërteta për mite të tjera të mëdha të botës?
A ballafaqohet miti me shkencën?
Ç’thotë arkeologjia, dëshmitë që vërtetojnë pamëdyshje? Një numër në rritje arkeologësh e studiuesish izraelitë kërkojnë sot të venë në dyshim se Eksodi hebre nuk ka ndodhur kurrë. Sipas disave është fjala për një mit, i krijuar disa qindra vjet mbas, për të kapërcyer rivalitete të ashpra, midis 12 fiseve të Izraelit.
Të tjerë vënë në dukje se qoftë e vërtetë, apo e trilluar, “Metafora e Eksodit” është zëvendësuar në raste të ndryshme nga reformatorë socialë, e kështu ka fituar një vend të dukshëm në kulturën perëndimore.
Ndër ata që janë të prirë të pranojnë se largimi i hebrenjve nga Egjipti është një mit është Benjamin Mazar, një jetë kushtuar arkeologjisë, me një autoritet absolut në fushën historike. “Eksodi është si Iliada – thotë profesor Mazari, 86 vjeç, në një intervistë dhënë së përdyjavshmes “Jerusalem Riport” – që të dy janë mite që i referohen eksodeve që kanë ndodhur 600, 700 apo 800 vjet më parë. Askush nuk e ka ditur se kush ka lëvizur apo ku ndodhet mali Sinai.
Në fakt, duke bërë kërkime arkeologjike në gadishullin e Sinait në vitet e pushtimit ushtarak (1967-1982), studiuesit izraelitë nuk kanë arritur të gjejnë “prova konkrete” që të vërtetojnë thënien biblike: nomadët, dihet, lënë pak gjurmë.
Oqeanografi Natan Paldor ka treguar se në Gjirin e Suezit, dhjetë orë erë pa ndërprerje bëjnë që ujrat të sprapsen rreth një milje. Dhe arkeologu Jitzhak Bei-Arjeh ka gjetur në Sinai një pemë që “bën fruta të ngjashme me dëborën”, që mund të jetë fruti i manit.
Por është shumë pak për të bindur historianët: “Historia e Eksodit – përfundon arkeologu David Ilan – u përpunua në epokën e mbretërve, për t’i bërë fiset një komb”.
“Eksodi i hebrenjve – thekson nga ana tjetër profesori amerikan Majkël Uolcer në librin e tij “Dalja e Egjiptit”, që u botua kohët e fundit në Izrael – është një metaforë e ndryshimit shoqëror.
Jo rastësisht është marrë si shembull nga Savonarola dhe disa të tjerë, dhe është cituar edhe nga Benjamin Frenklin dhe Karl Marksi.
Kohët e fundit ka frymëzuar edhe lëvizjet antisegregacioniste në “Jugun e thellë” të Shteteve të Bashkuara.
Në një intervistë dhënë së përditshmes “Harec”, Uolcer ka vënë në dukje se pashka hebraishte është sinjifikative edhe për palestinezët e territoreve” sepse përmban një mesazh emocionesh sociale”. “Çdo vend – afirmon ai është pak Egjipt. Edhe Izraeli është, në një farë mënyre, një Egjipt tjetër.”
Ç’ka thamë më sipër është orientuese, ve në spikamë dyshimin si formë hulumtimi të shkencës.
Dimë nga Platoni një tjetër legjendë enigmatike: Atlantidën.
Deri më sot nuk ka arkeologji vërtetuese për Atlantidën. Atlantida duket si një tjetër Iliadë, por pa Shlimanin.
Atlantida është gati e barazvlefshme si Përmbytja e Noes. Të dyja janë të përafërta, një çift metaforash madhështore, të ndërlikuara dhe me tepër dukuri të katastrofave që kanë krijuar edhe një futurologji të profetizuar: Apokalipsin.
Arkeologjia e vërtetoi Kullën e Babilonisë, qytetet e Nirvanës dhe Urit, por ende jo Atlantidën.
Ka gjithmonë një limit.