A do goditet Shqipëria nga stuhia Boris?
24 Shtator 2024
Meteorologia Lajda Porja tha për “Euronews Albania” se kjo javë do të jetë dinamike sa i takon motit.
Ajo parashikoi një nisje jave me mot vjeshtor, ku ndonëse temperaturat do të jenë të larta nuk do të mungojnë as reshjet e shiut, ndërsa nga mesi i javës e deri në përfundim do të kemi një mot vere me diell e temperatura të larta.
Porja tha gjithashtu se Shqipëria nuk rrezikon të goditet nga stuhia “Boris”.
“Kemi një javë dinamike. Pjesa e parë e javës nga e hëna në të mërkurë do të jetë tipike vjeshte dhe pjesa e dytë e javës do të jetë tipike verë. Sot ka nisur me diell një pjesë e mirë e territorit shqiptar. Do të vijojë deri pasdite, ku do të kemi shtim të vranësirave, pasditja do ketë vranësira të shpeshta të dendura në zonat malore. Megjithatë është një ditë që nuk do të ketë reshje edhe pse lagështia është shumë e madhe në ajër.
Temperaturat do të jenë mjaft të larta 28-29 gradë. Dita e martë dhe e mërkurë do na kujtojë nuancat e vjeshtës, do të kemi reshje dhe rrebeshe, kryesisht në jug dhe juglindje të vendit. dita e enjte përmirëson dukshëm motin, e më pas të premte të shtunë do jetë diell dhe temperaturat do arrijnë 32-33 gradë celsius. Dita e diel do ketë sërish vranësira. Pra në pjesën e parë, të martë e të mërkurë e të mërkurë, duhen çadrat me vete, e nga enjtja ju duhen syzet e diellit”,-tha Lajda Porja.