A do ju afrohet afganëve azil politik? – Sapo të vijnë, aplikim për leje qëndrimi bazuar në konventën e Gjenevës
A do ju afrohet afganëve azil politik? – Sapo të vijnë, aplikim për leje qëndrimi bazuar në konventën e Gjenevës
20 gusht 2021
Mësohen detaje të reja nga përgatitjet e autoriteteve shqiptare në pritjen e afganëve në vendin tonë.
Top Channel ka mësuar se të gjithë afganëve që do të vijnë në Shqipëri do t’u ofrohet mundësia e aplikimit si mundësi e parë azil politik.
Kjo për të përmbushur ligjet në fuqi të shtetit shqiptarë që kërkon detyrimisht aplikimin për leje qëndrimi në vendin tonë bazuar në nenin 33 të konventës së Gjenevës për refugjatët.
Do të jetë Ministria e Brendshme përmes Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit të përfshira në këtë proces.
Ka edhe një arsye tjetër përse afganëve do t’u ofrohet azil politik në vendin tonë. Kjo lidhet me faktin se mund të ketë nga atë të cilët nuk përmbushin kriteret për marrjen e vizës së posaçme SIV, pas procesimit të aplikimit nga nëpunësit e ambasadës amerikane.
Afganëve që pritet të vijnë në vendin tonë do t’u duhet të provojnë para autoriteteve amerikane vizë-lëshuese bashkëpunimin me ushtrinë amerikane apo NATO-n në Afganistan.
Mbetet ende e paqartë se kur avioni ushtarak amerikan do të sjellë në Rinas kontigjentin e parë të afganëve që Shqipëria do të mik-presë.
Autoritetet shqiptare besojnë se gjatë mbrëmjes e të premtes mund të niset një avion drejt Tiranës por asgjë nuk është e sigurt. Sakaq gjatë kësaj të premteje nga aeroporti Kabulit ka vijuar evakuimi.
Të tërhequrit nga Afganistani janë shtetas amerikanë, afganë që kanë pasur viza amerikane dhe ata që vlerësohen bashkëpunëtorë të një niveli të lartë e me rëndësi për SHBA-në.
Gazeta Dita