A do kemi ‘Peshq të mëdhenj’ në rrjetë këtë vit? Ambasadorja Yuri Kim i jep përgjigjen e prerë gazetarit

28 JANAR 2021

Ambasadorja amerikane Yuri Kim e ftuar në emisionin ‘’Real Story’’ të Sokol Ballës në News24 ka deklaruar se Shqipëria po fillon të shohë rezultate në fushën e drejtësisë, edhe pse nuk bën ‘marifete’ për të premtuar kapje të ‘peshqve të mëdhenj’.

Sipas saj përparim është bërë në këtë drejtim, por shqiptarët kanë të drejtë të ndihen të paduruar.

PJESË NGA INTERVISTA:

Sokol Balla: Pra po thoni se do të shohim disa peshq të mëdhenj në rrjetë këtë vit?

Ambasadorja Kim: Unë nuk bëj ato marifete marrëdhëniesh me publikun. Unë jam e interesuar në rezultate. Prandaj, ju e dini, unë nuk bëj premtime të mëdha. Gjithçka mund t’ju them është se Shtetet e Bashkuara e kanë shumë seriozisht reformën në drejtësi, se e kemi shumë seriozisht korrupsionin, se e kemi shumë seriozisht ndërtimin e një marrëdhënieje me Shqipërinë, e cilan është e fortë në demokraci, mbrojtje, dhe biznes. Dhe j’ua lë juve në dorë të gjykoni, bazuar në fakte, se sa përparim është bërë apo nuk është bërë. E kam thënë këtë edhe më parë, uroj që njerëzit të mos shpërqëndrohen nga propaganda dhe ekzagjerimet. Njerëzit duhet të bazohen në fakte.

Sokol Balla: Mirë atëherë, bazuar në fakte, mund të them se edhe ambasadori i kaluar ishte shumë entuziast për të njëjtën çështje. Kjo daton prej viteve 2017 dhe 2018, dhe jemi në vitin 2021. Dhe unë pajtohem me ju, se gjërat tani me reformën në drejtësi duhet të bëhen ashtu si duhet dhe, natyrisht, kjo kërkon kohë. Dhe sigurisht, tre vjet, pesë vjet, në kuadrin historik janë vetëm një sekondë. Por, në jetën e një njeriu, pesë vjet apo dhjetë vjet janë shumë të rëndësishëm. Në pesë vjet, ne shohim fëmijët tanë të rriten dhe shohim veten duke u plakur. Dhe pastaj, vjen një pikë dhe thua, ok, cili është koncepti i kohës kur bëhet fjalë për këto gjëra, pra kur? Çfarë është vonë dhe çfarë është herët dhe kur është koha e duhur? Prandaj ne kemi dyshime. Unë jam një nga ata njerëz që ende mbështes fuqimisht reformën në drejtësi. Ajo ka mbërritur në momentin kur, në fakt, duhet të shohim rezultate, prandaj dhe po këmbëngul tek ju me këtë pyetje.

Ambasadorja Kim: Po, mendoj se po filloni të shihni rezultate. Keni parë disa çështje të mëdha të nisin duke filluar nga vera e kaluar, dhe ajo që ndodh në fund është bërja e dallimit midis propagandës dhe faktit. Ka disa të cilët duan që ju të besoni se Shqipëria ka qenë gjithmonë e korruptuar dhe se do të jetë gjithmonë e korruptuar dhe se nëse nuk jeni dakord, ju jeni naiv. Epo, kam një lajm për ju, kjo nuk është normale dhe kjo nuk është mënyra se si ka qenë gjithmonë Shqipëria. Unë besoj tek Shtetet e Bashkuara dhe arsyeja përse besoj në Shtetet e Bashkuara nuk është sepse ne jemi perfekt, por sepse përpiqemi të përmirësohemi. Unë besoj tek Shqipëria për të njëjtën arsye. Ky nuk është vend i përkryer. As Shtetet e Bashkuara nuk janë, por unë mendoj se populli shqiptar ka mjaftueshëm pasion dhe përkushtim për të sjellë ndryshim. Unë shoh historinë tuaj. Shqipëria është toka e Skënderbeut. Ju i bëtë ballë Perandorisë Osmane kur askush tjetër nuk e bëri. Shqipëria është toka e besës dhe sot ndodh të jetë Dita e Përkujtimit të Holokaustit, por ju jeni i vetmi vend në Europë i cili në fund pati më shumë hebrenj se sa në fillim, dhjetra herë më shumë. Askush tjetër nuk e bëri këtë. Ju jeni vendi që refuzuat Enver Hoxhën dhe e zhdukët atë. Mendoj se këto janë me të vërtetë elemente të admirueshme të karakterit shqiptar. Prandaj unë besoj tek Shqipëria, besoj tek populli shqiptar dhe mendoj se ju kurrë nuk duhet të ndalni së shpresuari. Këta njerëz, të cilët ju thonë se nuk po ndodh asgjë dhe se asgjë nuk do të ndodhë kurrë, nuk janë njerëz të cilët ju tregojnë të vërtetën. Ata po ju thonë një gënjeshtër, në mënyrë që të mund të vazhdojnë me çfarëdo aktiviteti të tmerrshëm ku janë të përfshirë. Mos e humbni shpresën. Shpresa është armë.

Sokol Balla: Është e vërtetë.

Gazeta Sot