20 Shtator 2024

Diplomatët janë përpjekur të lehtësojnë tensionet në Lindjen e Mesme pasi pajisjet elektronike të lidhura me anëtarët e Hezbollahut shpërthyen duke shkaktuar dhjetra viktima dhe mijëra të plagosur, ndërsa për sulmet është fajësuar Izraeli.

Sulmet me bipera dhe radio, që përdoren nga grupi islamik, vranë 37 persona dhe plagosën rreth 3000 të tjerë.

Besohet se sulmet janë kryer nga Izraeli, i cili të enjten bombardoi Libanin jugor, në të njëjtën ditë kur të dërguarit nga SHBA dhe Evropa u takuan përpara një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të premten.

Ekziston frika se konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut, i cili mbështetet nga Irani, mund të përshkallëzohet. Një analist gjeopolitik izraelit paralajmëroi se “asnjëherë më parë nuk kemi qenë kaq afër një lufte gjithëpërfshirëse”.

Një tjetër ekspert tha se lufta është “një opsion real, por nuk është i pashmangshëm” dhe sulmet mund të detyrojnë Hezbollahun të tërhiqet nga Libani jugor dhe negociatat me Hamasin për luftën në Gaza që filloi me sulmin vdekjeprurës të 7 tetorit në Izrael nga militantë.

Të martën, biperat e përdorur nga anëtarët e Hezbollahut shpërthyen njëkohësisht në pjesë të Libanit dhe Sirisë, duke vrarë të paktën 12 njerëz dhe duke plagosur mijëra të tjerë. Izraeli nuk ka komentuar, por një zyrtar amerikan i tha Associated Press se kishte informuar Uashingtonin për operacionin.

Të mërkurën, 25 njerëz u vranë dhe më shumë se 450 u plagosën kur radiot ndërlidhëse shpërthyen.

Në një fjalim të zjarrtë të enjten, udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah i quajti sulmet “terrorizëm i pastër” si dhe “krime lufte ose të paktën një shpallje lufte”, pa treguar se çfarë përgjigje ushtarake do të ndërmerrte grupi i tij.

“Ne nuk kemi qenë kurrë më afër një lufte gjithëpërfshirëse, por ajo ende mund të shmanget pasi nuk e kemi kaluar pikën pa kthim”, tha Daniel Shadmy, zëdhënës i organizatës joqeveritare Rrjeti Evropian i Lidershipit (ELNET).

Rreth 60,000 njerëz janë evakuuar nga Izraeli verior për shkak të sulmeve të Hezbollahut nga Libani. Shadmy tha se shpërthimet që synojnë Hezbollahun këtë javë mund të përdoren për të nxitur një zgjidhje diplomatike.

“Izraeli nuk do të tërhiqet derisa të mund t’i kthejë qytetarët e tij të zhvendosur nga veriu të sigurt nga shtëpitë e tyre, qoftë me mjete diplomatike apo jo,” tha ai.

Pas sulmeve, ministri i jashtëm libanez Abdallah Bou Habib dënoi “sulmin flagrant” ndaj sovranitetit të vendit të tij. Homologu i tij turk, Hakan Fidan, akuzoi Izraelin se kërkon të zgjerojë luftën e Gazës në Liban.

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar të gjitha palët kundër “një përshkallëzimi të çdo lloji” dhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u bashkua me homologët e tij në kryeqytetin francez pasi diskutoi mundësinë e një armëpushimi në Gaza në Kajro, duke paraqitur një çështje të ndërlikuar të politikës së jashtme për Uashingtonin përpara zgjedhjet e nëntorit.

“Izraeli ka sinjalizuar se kalimi në fazën tjetër të planit të tij të luftës kundër Hezbollahut është një opsion real, por nuk është i pashmangshëm”, tha analisti rajonal dhe ish-zyrtari i inteligjencës izraelite Avi Melamed.

Sipas tij, “Irani dhe Hezbollahu kanë interes për t’i dhënë fund përleshjes me Izraelin, veçanërisht pas goditjes së rëndësishme që pësoi Hezbollahu”.

“Unë parashikoj që presioni iranian mbi [udhëheqësin e Hamasit, Yahya] Sinwar për të arritur një marrëveshje që të paktën do të ndalonte përkohësisht luftimet në Gaza do të intensifikohet”, tha ai.

Nga Ballkanweb