A do të krijohet një qeveri kujdestare? Gjiknuri flet pas tryezës së përbashkët me ambasadorët dhe zbulon për çfarë ranë dakord: Ka një frymë kompromisi me PD!
A do të krijohet një qeveri kujdestare? Gjiknuri flet pas tryezës së përbashkët me ambasadorët dhe zbulon për çfarë ranë dakord: Ka një frymë kompromisi me PD!
4 MARS 2020
Pas takimit të përfaqësuesve të Reformës Zgjedhore me trupën diplomatike në vend, Damiam Gjiknuri u shpreh për mediat se ka një frymë kompromisi me Partinë Demokratike.
“Ka një frymë kompromisi, kemi gjetur një hapësirë të përbashkët. Mbetet që ditët e fundit të zgjidhen disa probleme kryesore, siç është depolitizimi i administratës”, tha Gjiknuri.
I pyetur nga gazetarët për qeverinë kujdestare të kërkuar nga opozita, Gjiknuri tha se kjo nuk është çështje e kësaj tryeze, dhe nuk di të ketë një marrëveshje politike për këtë.
“Qeveria kujdestare nuk është çështje e kësaj tryeze. Qeveria kujdestare është çështje kushtetuese dhe marrëveshje politike. Nëse ka marrëveshje politike po, por unë nuk di që qeveria të ketë një vullnet që të shkojë në qeveri teknike, pra janë gjëra të stërkonsumuara. Unë besoj se nëse ka vullnet dhe PD të vijë me këmbë në tokë për disa gjëra, unë besoj se konsensusi është shumë i arritshëm”, tha Gjiknuri.
Më tej bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore tha edhe njëherë se nëse është e nevojshme afati për përfundimin e draftit mund të shtyhet me 2-3 ditë.
“Në 15 mars synimi është që të arrimë një marrëveshje, jo se duam të shtojmë afatin. Nëse është e nevojshme të shtyhet 2-3 ditë është krejt normale se 15 marsi nuk është një datë e palëvizshme. Në pjesën e mbetur të bëjmë përpjekje për të gjitha çështjet. E rëndësishme është që palët të bëjnë kompromis’, tha Gjiknuri.
Gazeta Sot