A do të ndërrohet ora këtë vit?
23 Tetor 2022
Qeveria gjatë javës së ardhshme duhet të vendos nëse do të vazhdojë përllogaritja verore e kohës në vend, për të kursyer energjinë elektrike. Ministria e Ekonomisë ka kërkuar nga meteorologjia dhe ASHAM-i të bëjnë studim që do të tregojë nëse kthimi i akrepave të orës këtë dimër mund të ndikojë negativisht në konsumin e energjisë elektrike te amvisëritë dhe kompanitë. Ministria përkatëse për Alsat thotë se analizat janë ende në rrjedhë.
“Jemi në konsultim me ekspertët, institucionet kompetente dhe sektorin e biznesit se si do të ndikonte dhe cilat do të ishin efektet e ndryshimit të llogaritjes kohore”. thonë nga Ministria e Ekonomisë.
Jo vetëm për kursimin e energjisë elektrike, përllogaritja e kohës verore dhe dimërore kanë ndikim edhe në disa biznese. Më shpesh, kjo ndihet në komponentin e eksportit, pra në sektorin e transportit dhe gjithnjë e më shumë edhe në industrinë përpunuese. Biznesmenët e konsultuar nga Alsat thonë se më e rëndësishmja për komunikimin e përgjithshëm është që vendi të jetë në përputhje me kohën në Evropë.
“Në vitin 2019, Komisioni Evropian publikoi rekomandim për shtetet se ky duhet të jetë viti i fundit kur llogaritet koha verore dhe dimërore. Autoritetet në vend ende nuk e kanë zbatuar këtë rekomandim. “
Pra, përllogaritja dimërore e kohës nënkupton kthimin e orës mbrapa dhe deri më tani kjo është bërë në fundjavën e fundit të tetorit. Ndërsa përllogaritja verore fillon në javën e fundit të marsit.