A do të “paditet” Kushtetuta e re në Gjykatën gjysmake Kushtetuese?
A do të “paditet” Kushtetuta e re në Gjykatën gjysmake Kushtetuese?
7 GUSHT 2020
Ndryshimet Kushtetuese sollën një zhurmë të madhe, por që në fund ata u miratuan me votat e PS-së dhe të opozitës Parlamentare. Amendamentet që parashikojnë hapjen e listave dhe heqjen e koalicionit-tren, tashmë janë fakt, madje më shumë se kaq.
Socialistët, kur e kanë përgatitur, duket e kanë ditur mirë se kanë “imunitet” në këtë vendimmarrje, pasi sipas Kushtetutës, presidenti i Republikës, nuk mund ta kthejë për rishqyrtim.
Kjo është vendosur në nenin e Kushtetutës, ku përcaktohet se kreu i shtetit ka të drejtën e dekretimit dhe jo të kthimit për rishqyrtim.
I gjendur përballë kësaj situate rruga kontestimit të këtyre ndryshimeve është pikërisht Gjykata Kushtetuese. Po sipas Kushtetutës, ankimimi në Gjykatën që interpreton ligjin themeltar të shtetit, nuk mund të bëhet apriori, apo mbi përmbajtjen e neneve përkatëse të amendamenteve, por vetëm për procedurën.
Në ligjin për funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, theksohet se “Të drejtën për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për kontrollin vetëm të respektimit të procedurës së parashikuar nga Kushtetuta, sipas nenit 131, pika 2, dhe nenit 177, të Kushtetutës, e kanë Presidenti i Republikës dhe jo më pak se një e pesta e deputetëve”.
Pra, kreu i Shtetit, apo edhe një e pesta e deputetëve, nëse do të kundërshtojnë ligjërisht amendamentet kushtetuese, do të duhet që të merren me procedurën, por jo me përmbajtjen.
E vetmja hapësirë, që kontestuesit potencial të amendamenteve mund të lëvizin është neni 177 i ligjit themeltar i shtetit.
Ja përmbajtja e tij
Neni 177
1. Nisma për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit.
2. Asnjë rishikim i Kushtetutës nuk mund të ndërmerret gjatë kohës kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme.
3. Projekti miratohet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
4. Kuvendi mund të vendosë, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, që projektamendamentet kushtetuese të votohen me referendum. Projektligji për rishikimin e
Kushtetutës hyn në fuqi pas ratifikimit me referendum, i cili bëhet jo më vonë se 60 ditë nga miratimi i tij në Kuvend.
5. Amendamenti kushtetues i miratuar i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
6. Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës.
7. Ligji i miratuar në referendum shpallet nga Presidenti i Republikës dhe hyn në fuqi në datën e parashikuar në këtë ligj.
8. Rishikimi i Kushtetutës për të njëjtën çështje nuk mund të bëhet përpara se të ketë kaluar një vit nga dita e rrëzimit të projektligjit në Kuvend dhe jo më përpara se të kenë kaluar 3 vjet nga dita e rrëzimit të tij në referendum
Pra mundësitë për të manovruar janë fare të vogla e sipas gjasave, por edhe sipas sinjaleve të Gazeta Shqip, Presidenti nuk do të lëvizë në këtë drejtim, pasi hapësirat janë të kufizuara. Ndërsa brenda Parlamentit, e vështirë të mblidhen 28 firma deputetësh për të kontestuar procedurën.
Ligjërisht këto ndryshime nuk rrëzohen me dekret, por vetëm nëse e merr Gjykata Kushtetuese, e cila ende nuk është formuar, por që në sekretarinë e saj ka shumë dosje të mbartura që nga mosdekretimit e ministrave nga Meta, zgjedhjet e 30 qershorit, ç’dekretimin e tyre etj.
Por që të nisë puna, duhet njëherë që ky institucion të ngihet, e gjasat janë se edhe nëse ndodh kjo do të kërkojë shumë kohë, gjasa ka kur të të afrohen zgjedhjet parlamentare të 2021-shit.
Po përse do të vlejë ai vendim? Ka dy precedent të Gjykatës Kushtetuese në këtë sens, kur dy herë, ky institucion ka kundërshtuar shkarkimin nga Parlamenti të dy prokurorëve të Përgjithshëm: Arben Rakipit dhe Theodhori Sollakut. Asnjëri nuk ka pasur veprim prapaveprues.
GAZETA SHQIP