A do të tregojë Donald Lu sa para u dhanë për lirimin e Tahirit?

Nga Boldnews.al

Vetëm 24 orë para se të jepej vendimi në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda për çështjen Tahiri, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu paralajmëroi se kishte të dhëna se gjyqtarët e çështjes po shantazhoheshin dhe po u ofrohej ryshfet që vendimi të ishte në favor të ish-ministrit. “Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”-tha Donald Lu. Në të vërtetë ashtu ndodhi. Me një vendim mëse të dyshimtë, treshja gjyqësore e Apelit rrëzoi çdo akuzë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda duke vendosur t’i japë lirinë e plotë ish-ministrit, i cili qëndronte në “arrest shtëpie”.

Skandali merr përmasa edhe më të mëdha kur për këtë çështje ambasadori Lu, i cili për çështje ditësh lë Shqipërinë, i ranë “kokë” me parashikimin e tij. Saimir Tahiri “punoi” mirë gjatë kohës që ishte në masën “arrest shtëpie”. Që çështja ishte vulosur në favor të tij, u duk edhe nga dalja e avokatit në një parakonferencë shtypi, pak minuta para se të niste seanca gjyqësore. Kryesuese e seancës ishte Saida Dollani, ndërsa anëtarë janë Sokol Binaj e Fehmi Petku. Që të treve iu desh vetëm 30 minuta që të merrnin vendimin, që në fakt nuk qe surprizë për Saimir Tahirin, sepse kishte të dhëna se presioni, ndërhyrjet apo ryshfeti kishte funksionuar në këtë rast.

Tashmë që ambasadori amerikan po ikën dhe përderisa e mban veten si “flamurtari” i reformës në drejtësi, do të duhet që të tregojë pikërisht informacionin e saktë që kishte marrë për këtë rast. Presioni, ryshfeti apo ndërhyrja politike për ish-ministrin e Brendshëm funksionoi më së miri. Ia jo vetëm la masën e sigurisë “arrest shtëpie” për katër akuza të rënda, por është një qytetar i lirë. Shqipëria pret hapjen e negociatave, por rasti Tahiri duket se nuk do kalojë lehtë, për aq kohë sa edhe Ambasadori amerikan në ikjë Donald Lu e dinte para se të shpallej vendimi. Pyetja e vetme mbetet: Sa para u hodhën që Tahiri të fitojë lirinë? Përgjigjen më të saktë e di Lu…