A e dëmton hetimi parlamentar punën e SPAK-ut? Altin Dumani rrëzon PS-në: Kanë qëllim të ndryshëm
6 Nentor 2023
Vetë SPAK “i heq merakun” Partisë Socialiste, që pretendon se hetimi i parlamentit mund ta dëmtojë hetimin e prokurorisë.
Në këtë legjislaturë mazhoranca ka refuzuar të ngrejë 8 komisione hetimore, të kërkuara nga opozita, vendime, të cilat juristët i kritikojnë dhe i cilësojnë shkelje të të drejtave kushtetuese të pakicës parlamentare.
Vetë SPAK “i heq merakun” Partisë Socialiste, që pretendon se hetimi i parlamentit mund ta dëmtojë hetimin e prokurorisë. Përkundrazi, Altin Dumani i tha INA Media-s se, të dyja palët mund të bashkëpunojnë dhe se Prokuroria Speciale i ka ndjekur dhe i ndjek me vëmendje hetimet e parlamentit.
“Komisionet hetimore, parlamentare kanë qëllim dhe funksion të ndryshëm nga hetimi që kryen SPAK, i cili është i natyrës penale. Standardet e provueshmërisë së procesit penal janë më të larta dhe procedura e ndjekur për ngritjen e një akuze është shumë më rigoroze” – tha kreu i SPAK.
Dumani shton se ligji parashikon që Prokuroria e Posaçme mund të bashkëpunojë me komisionet hetimore, parlamentare, sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Duke theksuar se “në çdo rast hetimi penal është i pavarur”, drejtuesi i Prokurorisë Speciale tha se “Prokuroria e Posaçme ka qenë dhe është e vëmendshme ndaj hetimeve të kryera nga komisionet parlamentare për ato vepra penale që janë në juridiksionin e saj”.
Gazeta Sot