A e dini se ky fshat i Kosovës ka tre lumenj

nga KOSOVARJA

Dikur ia pinin ujin lumit para shtëpive. E përdornin edhe për zierje. Sot me ujin e Drenicës nuk e ujisin as fasulen në ara. “E prish, pasuli nuk e do hiç”, thekson Hanifi Sllamniku, 68 vjeç, nga Vragolia e Fushë-Kosovës. “A kollomoqin, ban me ujit. A pasuli nuk ban absolut”.

Histori të ngjashme tregon edhe fqinji Nazmi Prebreza, 74 vjeç.

“Në fëmijëri, beso bre që kemi pi ujë n’ta”, thotë burri, derisa palos dru të shkurtuara në garazhin në qoshe të oborrit. Vetëm rruga e ndan prej bregut të lumit.

“Ujin ia kemi pi, a tash as peshqit nuk munden me jetu, as sen s’munesh me ba me të”, thekson Sllamniku në fund të shtëpive të fshatit. “Pse? Kanalizimet i kanë qit krejt katundet fije-fije, turlifar kimikatesh, turlifar senesh. Është i ndotur, saqë as në kambë nuk munesh me hy se është i ndotur dhe mundesh me u infektu. Mundesh me marr naj infektim”.

Drenica është vetëm njëri prej tre lumenjve që përshkojnë tokat rreth fshatit të rrafshët. Pos Drenicës, fshati laget edhe prej Sitnicës e Graçankës. Shumëkush në fshat pretendon se edhe Prishtevka përshkon tokat e vragoliasve, por zyrtarët e Komunës së Fushë-Kosovës thonë se brigjet e saj nuk i takojnë zonës kadastrale të Vragolisë. Të katërt bëhen bashkë në afërsi dhe derdhen në Ibër.

nga  “KOSOVARJA