A është ky paralajmërim (i zhdukur nga web-i) arsyeja e vërtetë e heqjes së drejtorit të KESH? –

28 janar 2019

Ekskluzive Dita – Pak ditë më parë drejtori i IFIMES Dr. Zijad Becirovic (në foto) ka dhënë një intervistë për Albania Daily News, një gazetë e cila botohet anglisht dhe ka përhapje në selitë diplomatike dhe në ambjentet e ndërkombëtarëve në Tiranë.

IFIMIES (Instituti Ndërkombëtar për Ballkanin dhe Lindjen e Mesme) është një organizatë shumë e njohur për analizat në këto dy rajone të trazuara të botës.

Pasi flet për situatën në Ballkan dhe për protestat në Tiranë, Prishtinë, Beograd dhe Banja Luka, njëkohësinë e të cilave nuk i konsideron si rastësi, kreu i IFIMES, paralajmëron publikimin e një investigimi që lidhet me KESH-in shqiptar.

Sipas tij “anëtarë të ngushtë të familjes së kryeministrit Rama janë lidhur me biznesin e energjisë, më saktësisht me tregtinë e energjisë me Serbinë”.

“Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë (EnCS) është njohur tashmë me marrëveshjet jo transparente dhe inkriminuese në tregun e energjisë elektrike dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare KESH ka favorizuar një kompani nga Serbia të lidhur me një kompani nga Shqipëria, pas së cilës fshihen familjarë të ngushtë të zotit Rama” – thotë Dr.Zijad Becirovic

Ai jep më pas disa detaje të tjera dhe në fund të intervistës thotë se “investigimi i plotë do botohet shumë shpejt”.

DITA kërkoi linkun e intervistës së kreut të IFIMES online, por linku ishte i pahapshëm.

Dikush ka ndërhyrë për të ndaluar përhapjen e tij.

DITA ka siguruar sidoqoftë një kopje të plotë të intervistës në anglisht dhe ka kontaktuar ndërkohë z.Becirovic mbi detajet.

Investigimi ishte planifikuar të botohej njëkohësisht i plotë edhe nga DITA.

Heqja e drejtorit të KESH ndodh pak pas publikimit të kësaj interviste e cila përmban paralajmërimin për botimin e plotë të hetimit të IFIMES.

Rastësi? Apo drejtori i KESH është hequr për t’i dalë përpara skandalit të pritshëm?

Në rastin e DH Albania, qeverisë iu desh kohë përpara se të shkarkonte drejtorët. Një shkarkim tjetër i lidhur sërish me publikimin e një skandali do ta rrënonte edhe më shumë imazhin publik të qeverisë.

Kryeministri e quajti Zërin  e Amerikës që botoi detajet e bashkëpunimit të administratës me firmën fantazëm të Bashkim Ulajt, pjesë të “kazanit”.

Mbetet për t’u parë në vijim nëse edhe IFIMES do shpallet “kazan” nga kryeministri.

Dita