A janë financuar edhe Negociatorët e Detit nga “fondi sekret grek”? –
A janë financuar edhe Negociatorët e Detit nga “fondi sekret grek”? –
-Ndërkohë kur qeveria greke e pranon se fondet e saj sekrete janë hedhur në Shqipëri për mbrojtjen e interesave të tyre, shërbimet inteligjente shqiptare të mos shpërdorojnë kohë dhe para për të përgjuar kundërshtarët e qeverisë, por për ata që realisht cënojnë interesat kombëtare.
-Kryeministri grek, Aleksis Tsipras pranon fondin sekret të Ministrisë së Jashtme: Paratë janë përdorur për mbrojtjen e interesave të Greqisë. Ndërsa ish-ministri në ikje Kotzias thotë se do zgjerohet territori grek me ujërat shqiptare, pra lihet të kuptohet se fond në euro është dhënë dhe për NEGOCIATORET shqiptarë.
Skandali i publikuar nga mediat në Athinë për ekzistencën e një fondi sekret të Ministrisë së Jashtme greke, me të cilën janë financuar media dhe organizata në Shqipëri, është konfirmuar dje indirekt nga kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras. Kreu i qeverisë greke deklaroi se për interesa të shtetit grek përdoren fonde sekrete, të cilat shpërndahen sipas një procedure strikte ligjore. Ai garantoi grekët se “asnjë prej këtyre parave nuk është shpërdoruar, por janë përdorur për të mbrojtur interesat e Greqisë”. Sipas asaj që shkruajnë mediat greke 1 milionë euro janë dhënë nga fondi sekret i Ministrisë së Jashtme për të financuar mediat në Shqipëri dhe në Maqedoni, vetëm gjatë muajit tetor. Në total flitet për një fond prej 45 milionë eurosh që ministria e drejtuar deri pak ditë më parë nga Niko Kotsias, ka pasur në dispozicion për përdorim sekret. Në Greqi, skandal quhet fakti se përse detaje të tilla dolën në media. Gazetari që ka publikuar artikullin e parë për fondet sekrete është vënë nën hetim për nxjerrje të sekretit shtetëror. Kryeministri grek, i cili tashmë është dhe ministër i jashtëm, dje tha se media dhe opozita po dëmtojnë interesat strategjike të Greqisë. Pra faktet e botuara janë të sakta, por nuk duhen publikuar, ishte sentenca e kryeministrit grek.
Ndërkohë në Shqipëri skandali ka tjetër pamje. Rezulton se një pjesë e mediave, portaleve, gazetarëve dhe organizatave kanë kryer tradhti kombëtare. Qëllimi i këtyre parave në fondin sekret, siç thotë dhe kryeministri grek, është që të mbrojë interesat e shtetit helen. Grekët janë në të drejtën e tyre.
Ndërsa mediat e blera në Tiranë apo gjetkë në Shqipëri, të cilat shërbejnë Athinës në gjuhën shqipe, kanë tradhtuar interesat kombëtare. Ndaj këtij skandali, nga më të rëndat në 28 vitet e fundit, çuditërisht në Shqipëri ka minimumin e reagimit. Përveç një pjese të mediave dhe disa politikanëve, asnjë prej institucioneve zyrtare nuk ka reaguar. Kur flitet për cënim të interesave kombëtare, Prokuroria dhe institucionet e shërbimeve inteligjente e kanë detyrë parësore verifikimin dhe nisjen e hetimeve. Por dje, e vetmja parti politike që reagoi zyrtarisht ishte Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Kreu i saj, Shpëtim Idrizi kërkoi nisjen urgjente të hetimeve si dhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ndërkohë që Sekretarja e Përgjithshme e PDIU, Mesila Doda nuk përjashtoi mundësinë që pjesë e pagesave të fondeve sekrete greke të mos jenë vetëm mediat, por edhe për politikanë shqiptarë. Një skenar i tillë nuk mund të përjashtohet, për sa kohë që fondet sekrete kanë qëllim arritjen e qëllimeve të shtetit grek me mënyra që nuk i kryen dot diplomacia zyrtare.
Hetimet për fondet greke duhet të jenë një prioritet i Prokurorisë dhe shërbimeve të sigurisë. Jo thjesht për politikanët tanë, që nuk është çudi të kenë dhe këtë mëkat në karrierën e tyre, por për një tjetër ekip njerëzish që kanë rol të dorës në parë në marrëdhëniet aktuale mes Shqipërisë dhe Greqisë. Këto muaj, kur ka nisur debati për fondet, po takohen rregullisht grupi i negociatorëve për kufirin detar. Si rregull negociatorët nuk sulmohen për sa kohë janë në bisedime, pasi çdo akuzë ndaj tyre mund të ndikojë në rezultatet e marrëveshjes. Por me faktet e reja që kanë dalë në dritë, si padashje nga vetë pala greke, nuk përjashtohet mundësia që milionat e parave të fondit sekret të shtetit grek, të kenë pasur qëllim edhe joshjen apo blerjen e pjesëtarëve të ekipit negociator shqiptar. Derisa zyrtarët më të lartë grekë pranojnë se fondet sekrete synojnë mbrojtjen e interesave, nuk është çudi se edhe mund të jetë tentuar në drejtim të ekipit negociator, ndonëse janë njerëz me integritet. Por euro ka fuqi të cilën e paskan provuar disa portale shqiptare!
Kryeministri brenda 72 orësh kërkoi adresat dhe NIPT-et e portaleve, por nuk duhet të humbasë kohë dhe për verifikimin emrave të medias që kanë marrë lekë nga ministria e Jashtme greke. Kur do qeveria e kap “lepurin me qerre”!
Apo i di emrat, Ditmir Bushati, ministri i Jashtëm?! Nëse i di, atëhere pala greke me lejen e Bushatit duhet ti ketë akorduar këto miliona. Bile dyshimi shkon edhe te NEGOCIATORET e propozuar nga ministria. I padrejtë duket si dyshim, por kur ka plasur gjithë ky skandal dhe Athina zyrtare e pranon “fondin sekret”, pse të mos hetojmë dhe survejojmë edhe NEGOCIATORET?
Publikimi i emrave të mediave dhe gazetarëve është gjesti i parë që shteti shqiptar ka detyrim të kryejë. Mbase ligjërisht askush prej atyre që kanë marrë para nuk mund të ketë pasoja penale, por moralisht qytetarët duhet të dijnë se cilët janë “zëri i Athinës” në Tiranë. Një proces i tillë është më i rëndësishëm se sa paketa antishpifje e qeverisë, pasi këtë herë do zbulohet paketa anti-kombëtare.
Kur qeveria greke e pranon se fondet e saj sekrete janë hedhur në Shqipëri për mbrojtjen e interesave të tyre, është koha që shërbimet inteligjente të mos shpërdorojnë kohë dhe para për të përgjuar kundërshtarët e qeverisë, por ata që realisht cenojnë interesat kombëtare.
Edhe nëse nuk penalizohen, të paktën moralisht populli shqiptar duhet ti dijë emrat e këtyre gazetarëve dhe mediave të blera me eurot greke. Por tashmë më e rëndësishme mbetet për SHISH dhe shërbimet e tjera shqiptare të dijnë nëse fondet sekrete greke kanë joshur ndonjë pjestar te ekipit negociator të Shqipërisë, të cilët po bisedojnë me palën greke për Marrëveshjen e Detit. Nëse grekët kanë hapur thesin (për portalet kanë hedhur 1 milion euro) atëhere për ata që firmosin si komision shqiptar, mund të jetë 10- fish apo me shumë, SHUMA në euro.
“Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë!”- ka thënë dikur Edi Rama, kur e akuzonin për korrupsion. Apo jo zoti Ditmir Bushati?
Gazeta Koha e Jone!