A janë të sigurta paratë tona në banka? – Ministri i Mbrojtjes: – Jemi të gjithë të ekspozuar…
27 Dhjetor 2022
Sulmet kibernetike ndaj dy bankave të nivelit të dytë në vendin tonë ditët e fundit kanë shqetësuar qytetarët për sigurinë e parave të tyre.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u pyet nga gazetarët këtë të martë nëse ka dijeni për këto sulme. Peleshi theksoi se “nuk ka siguri 100% askush, asnjë institucion, qoftë ky publik apo privat”.
“Jemi të gjithë të ekspozuar, jo vetëm sistemet qeveritare por dhe ato private. Nuk përjashtohet asnjë operator privat apo publik ndaj ekspozimit ndaj këtyre sulmeve duhet të investohet më tepër dhe nga operatorët privat duke kuptuar që ky është një domein i të sotmes.
Nuk është ministria përgjegjëse por s’dua ti iki pyetjes, konfirmoj e mund të them atë që dihet që nuk ka siguri 100% askush, asnjë institucion, qoftë ky publik apo privat.
Garanci e mure 100 % të sigurta nuk ka. Por e keqja nuk vjen vetëm për keq, por dhe për mirë dhe operatorët privatë duhen ndërgjegjësuar.
Sulmet kibernetike kanë sukses për shkak të faktorit njeri, nëse jemi më të vëmendshëm për çfarë duhet hapur e jo në email tona, të jemi më të sigurt.”- tha Peleshi.
Gazeta Shqip