A mund të përfshihet Ballkani në rrezikun e konfliktit? Flet eksperti i sigurisë
– A mund të përfshihet Ballkani në rrezikun e konfliktit? Flet eksperti i sigurisë
22 SHKURT 2022
Adrian Shtuni eksperti për çështjet e sigurisë ndërkombëtare ka folur për zhvillimet e fundit mes Rusisë dhe Ukrainës.
Në një lidhje me skype në studion e lajmeve në Vizion Plus, Shtuni tha se Rusia e kishte pushtuar në mënyrë indirekte disa vende, kohë më parë.
“Rusia i kishte pushtuar në mënyrë indirekte disa vende. Ishte një lufte që ka filluar kohë me parë, por me intensitet të ulët. Tani Rusia ka filluar luftën e drejtpërdrejtë përmes ushtrisë së saj”, tha ai.
Sipas Shtunit, presidenti Putin synonte shtetësinë e Ukrainës, të drejtën e popullit të Ukrainës për të ekzistuar.
“Kjo është ajo që na çon tek Ballkani i cili është në pozitë të cënueshme, simomos Bosnja, Veriu i Kosovës, Mali i zi e kështu me radhë. Rusia ka ndikimin e vet në disa nga këto vende, kështu kjo është shumë shqetësuese se mund të ketë veprime provokuese që mund të çojnë në probleme më të mëdha”, tha Shtuni.
Lidhur me qendrimin e Shqipërisë, Shtuni tha se ka qenë qasja e duhur. Ndërkohë ai theksoi se largësia e territorit s’është një mbrojtje pasi sipas tij, mund të ketë sulme kibernetike.
“Kam përshtypjen që largësia e territorit s’është një mbrojtje se sot e kësaj dite mund të ketë sulme kibernetike që ndodhin brenda sekondës nga nje cep i botës në tjetrin. Rreziku nuk shmanget dot nga largësia gjeografike. Qaja e Shqipërisë ka qenë qasje e duhur, është një vend i NATO-s. Qasja e Shqipërisë me deklaratën që bëri në Këshillin e Sigurimit ishte e duhur dhe mendoj që Shqipëria të vazhdojë në të njëtjët trajektore”, tha Shtuni.
Gazeta Sot