A mund të vijë ky njeri në Kosovë pa shkaktuar skandal? –
A mund të vijë ky njeri në Kosovë pa shkaktuar skandal? –
Nga Enver Robelli
A mund të vijë ky njeri në Kosovë pa shkaktuar skandal? A mund të vijë Edi Rama për vizitë në Prishtinë, Pejë apo Prizren si një kryeministër i Shqipërisë që respekton disa rregulla elementare të protokollit shtetëror? A mund të vijë për vizitë pa folur me kapadaillëk? A mund të mbajë ky njeri fjalim në Kuvendin e Kosovës pa e polarizuar shoqërinë kosovare dhe pa manipuluar faktet e historisë më të re të Kosovës? A mund të dalë para gazetarëve pa i ofenduar e etiketuar?
Në Tiranë i quan «kadrinjë», në Kosovë i fyen si «gomarë», madje edhe kur bëjnë pyetje krejt të rëndomta, aspak me sherr, fundja edhe po të bënin pyetje me sherr: a nuk është kjo detyra e gazetarit? Kualifikimi i gazetarëve si pjesë e kazanit tingëllon mjaft atraktive (sepse edhe të tillë ka në dynjanë shqiptare). Pastaj Edi Rama e di mirë për çka po flet, sepse edhe vetë ka qenë afër kazanit medial prej se ka filluar të merret me politikë. Nëpër zorrët e këtij kazani është përzier edhe ai, duke harruar rolin e politikanit dhe duke u shndërruar në fjalaman me hithër në dorë. Përpjekja e Ramës që të diskualifikojë çdo kritik duke e goditur me peharin e kazanit, flet shumë për përbuzjen që ndjen ndaj shtypit të lirë dhe debateve kritike.
Ai do të donte debat, por me kusht që të flasë vetëm ai dhe të tjerët t’i nënçmojë pa masë. Ai do të donte debat për të treguar se është i gatshëm t’i shkruajë çdo shqiptari kritik një hajmali. Ai do të donte debat për çdo temë me kusht që të tjerët të heshtin dhe dëgjojnë vetëm interpretimin e tij. Kështu u soll edhe dje gjatë vizitës në Kosovë. Jo si mysafir, por si keqpërdorues i mikpritjes dhe si avokat (i paftuar) i kryetarit të Kosovës. Me epitetin e «gomarit» Rama i etiketoi jo vetëm kritikët e tij në Kosovë, por edhe vetë kryeministrin dhe kabinetin qeveritar të Kosovës.
Dhe ka një shpjegim përse e bën këtë Rama: ai mendon se duke e zotëruar më mirë se shumë politikanë (dhe gazetarë) andej e këndej Drinit artin e gojëtarisë, kjo i jep atij të drejtë të tallet me secilin. Kur s’ka ndonjë konflikt me gazetarë e rivalë politikë, fillon të grindet me qytetarë, me «kadrinjtë» e rëndomtë. Kjo duket atraktive për militantët partiakë dhe ndonjë bjerrakohës të mediave sociale, por sjellje prej burrështetasi nuk është, sepse qeverisja nuk është performansën artistike. Nuk ka qenë kurrë. Nuk do të jetë kurrë. As me Edi Ramën artist-kryeministër. Ai nuk do të jetë gjithë jetën e tij kryeministër, rrjedhimisht në të ardhmen do të ketë shumë kohë të shkruajë polemika e analiza, replika e fletërrufe.
Por, nuk është vetëm shkathtësia retorike e Ramës që e shtyn të kacafytet me të gjithë që e kritikojnë. Ai këtë e bën edhe për të larguar vëmendjen nga hallet e tij të përditshme. Përkundër disa meritave të pamohueshme në qeverisje, edhe nën dorën e tij artistike Shqipëria po rrëshqet nga skandali në skandal. Mund të injorojmë sulmet shpeshherë bizare të opozitës shqiptare, e cila është e diskredituar pa fund, por nuk mund të injorohen kritikët kredibilë. Ambasadorë amerikanë, politikanë gjermanë, diplomatë holandezë – të gjithë vazhdojnë të numërojnë problemet e Shqipërisë nën qeverisjen e Edi Ramës: banda që veprojnë me tolerancë të shtetit, ministra e deputetë që dyshohet të mbajnë lidhje me elementë krimogjenë, mungesë e sundimit të ligjit, kanabizim kolosal.
Një shpjegim tjetër për sjelljen e tij është pozita e re e shqiptarëve në rajon. Me çlirimin e Kosovës, pavarësimin e saj, me hyrjen e Shqipërisë në NATO shqiptarët kudo në rajon ndihen më komod se më parë në histori. Nuk janë më të fuqishmit ushtarakisht, por duke qenë popullsi e re e dinamike nuk shohin shumë rreziqe për të ardhmen e tyre. Në vend që ky shans historik të shfrytëzohet për përparimin e Kosovës dhe Shqipërisë, politikanët marrin poza kinse nacionaliste për të fshehur dështimet e tyre. Në këso situatash edhe loja me projekte të mëdha («do të bashkohemi deri në vitin 2025») i shërben politikave populliste. Me shfaqjen e djeshme teatrale në Kosovë Edi Rama tregoi se për të më të rëndësishme janë lojërat populliste rajonale se qeverisja me duar të pastra në Shqipëri.
Njëkohësisht ai u pozicionua qartë si përkrahës i idesë për korrigjimin e kufijve, një projekt i përbashkët i kryetarit të Serbisë dhe kryetarit të Kosovës. Për këtë projekt polarizues ekziston, siç po shihet, një përkrahje ndërkombëtare që s’mund të injorohet. Në muajt e fundit përkrahës dhe kundërshtarë të idesë kanë folur gjerë e gjatë. Disa ekspertë amerikanë e quajnë lojë të rrezikshme në shërbim të Rusisë, të tjerët opsion të mundshëm. Përkrahësit janë kryesisht lobistë të paguar mirë. Në Kosovë një pjesë e madhe e opinionit e hedh poshtë ndarjen për shkak se nuk ka asnjë besim në veprimet politike të kryetarit të Kosovës. Edi Rama mund t’i thurë elozhe atij orë e çast, në iftar e në syfyr, por mendjen nuk ia ndërron dot shumicës së kosovarëve. Në vend se dje të kërkonte dialog me kosovarët kritikë ndaj lojërave me kufij, erdhi dhe i shau.
Plani për ndarje po vihet në veprim çdo ditë. Edhe sot, me dorëheqjet e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri. Me kërcënimet se do të ndërpresin çdo kontakt me autoritetet në Prishtinë. Situata në veri, sipas ekspertëve të sigurisë, mund të ashpërsohet me një qëllim: që ndarja të bëhet opsioni i vetëm i mundshëm. Atëherë mbetet të shohim Edi Ramën dhe kryetarin e Kosovës duke e realizuar planin për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Dhe njohjen e Kosovës nga Serbia. Dhe hyrjen në NATO dhe BE të Kosovës. Ekziston rreziku që nga këto të mos realizojnë gati asgjë.