A na duhet vërtetë një ministër Kulture?!

Gazeta Shqiptare

Nga: Ben Andoni –

Unë i thashë kryeministrit se Genti Cakën mund ta bënte Ministër Kulture, nëse ai e vlerësonte aq shumë”. Kjo është fjalia e Z.Ilir Meta që u sfumua në mesin e shumë prej fjalive ku publiku u mundua të perceptonte sherrin e madh aktual të Presidentit të vendit me kryeministrin Edi Rama. Por arsyetimi i kryeministrit dhe pranimi i presidentit ishte trendi: kandidatura e re ishte shumë i lexuar dhe shumë i zgjuar, ndaj mund ta bëjë shumë mirë punën e kulturës!!! Por, jo Ministrin e Jashtëm.

Në fakt, debati u shua sepse të gjithë e dinë mirë se dikasteri i Ministrisë së Kulturës “nuk vlen për asgjë” për Ekzekutivin e një kryeministri shqiptar. Që do të thotë se ministri mund të zëvendësohet ose të komandohet kushdo, që për kryeministrin e vendit, zgjidh problemet e koalicionit, por edhe të qokave të rastit. Për vetë sistemin hibrid demokratik që ka Shqipëria ky zëvendësim është normal dhe vetëm komuniteti artistik i vendit është i ndjeshëm, për pak orë deri sa gjithçka fashitet dhe shkon në vend. Kurse Ministria manovron me buxhetin e saj shumë qesharak.

Ka një listë të gjatë me emra Ministrash Kulture që e kanë drejtuar këtë dikaster nga viti 1990 deri në ditët e sotme por janë vetëm shumë pak syresh prej tyre që mund të kujtohen për ndonjë gjë. Jo thjesht se nuk vinin mirëfilli nga kultura porse me veprimet, aktet e tyre dhe mbi të gjitha politizimin e tyre të skajshëm, e mbytën këtë dikaster për interesa meskine.

Kryeministri Rama, në përvojën e paraardhësve të tij (kur ishte Ministër Kulture), nuk është se ndryshoi diçka përveç dukjes (ai është mjeshtër për këtë) dhe çuditi me debatet, ashtu si habiti me mbështetjen e paktë të kulturës dhe konfliktet e shumta që ka mbjellë qeverisja e tij dhe që duhet thënë se amplifikohen nga një opozitë krejt e çartur.
Por, të kthehemi në argumentin tonë: Në rastin e fundit, nëse e vlerësonte vërtetë Ministren Kumbaro, ashtu si kolegët e tjerë të saj, i takonte t’u bënte një feedback të arsyeshëm se pse i zëvendësoi dhe pse këta nuk mund të vazhdonin më tej. Por kjo nuk bëhet sepse Rama, ashtu si paraardhësit e tij, ministrinë e Kulturës e kanë konsideruar thjesht për garniturë në Ekzekutiv.

I ndjeri Sokol Olldashi, pak kohë para se të vdiste, në një takim arrinte dhe e amplifikonte gjithnjë këtë problematikë për kulturën, kuptohet këtë herë në një pozitë “komode” (ishte opozitar): Askush nga ne nuk e ka në kujdes, ndaj mos prisni ndonjë emër ministri që t’ju habisë. Kush nuk prish punë, vazhdonte-i plasim portofolin e Ministrit të Kulturës ose mbyllim ndonjë vrimë politike dhe kënaqim ndonjë aleat. Këto fjalë të deputetit të PD-së të kujtohen gjithmonë kur kujton fjalë nga këto të politikanëve shqiptarë, që Ministër Kulture mendojnë gjithnjë një njeri që lexon, e që i ka dalë nami se është i lexuar por asesi një menaxher që mund t’i kthejë frymën kulturës dhe më shumë akoma t’i japë frymë impakti kulturës së kombit. E meqë është kështu, e asgjë nuk ndryshon, pse e duam Ministrinë e Kulturës, a nuk do shërbente më mirë si institucion të ishte nën çatinë e Ministrisë së Arsimit?! Dikur e bënin kështu dhe kishte realisht një lloj impakti, sepse Arsimin e bashkonin me simotrën e vet Kulturën…


Nga: (Milosao)