A po formohet grup antiRama në PS?
A po formohet grup antiRama në PS?
15 tetor 2021
Nga Daniel Muçaku
Teksti i kengës së dikurshme të Edi Ramës në fushatën për kryetar bashkie “gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë” me sa duket ka vend edhe për ngjarjet e pritshme në grupin parlamentar të PS-së.
Përflitej se një grupim antiRama po formësohej në PS, sidomos me deputetë, të cilët e shikojnë se mënyra e qeverisjes së kryeministrit Rama jo vetëm edhe despotike, por edhe mund të jetë qeverisja e fundit e PS-së.
Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë!
Reagimet e ish-zv/kryeministrit Braçe janë politike dhe personale, pa pranuar të futet në grupin që po fillon të konturohet në PS, por gjithsesi janë një nxitje që grupimi të fillojë daljen nga pak e përditë në reagime mospërputhje me kryeministrin.
Të gjithë e dijnë se Edi Rama të shtyp si grupim apo çdo person që ka emër në PS e përjashton, kur ndjen rrezikun e rritjes së ortekut antiRama. Megjithatë këtë herë nuk është si herët e tjera, sepse jo vetëm është mandati i tretë dhe i fundit, pasi opozita do ringrihet në një formë apo tjetër. Shoqeria shqiptare në mos emancipoftë këtë që ka sot si opozitë, atëhere do nxjerrë nga gjiri i saj një opozitë tjetër, me solide dhe më të besueshme për qytetarin shqiptar.
Ky është një process dialektik dhe nuk mund ta ndalë Edi Rama me çdo lloj marifeti që mund të përdorë me oligarkët apo mediat e tij tradicionale.
Tashmë jetojmë në kohën e teknologjisë moderne ku rrjetet sociale dominojnë mbi çdo media nacionale. Mjafton një portal të nxjerrë skandalin dhe nuk ka zot që ta ndalojë përhapjen e tij në miliona lexues apo shikues.
Ndaj edhe ky grupim po përdor rrjetet sociale si fillim, duke u grupuar në formacion luftimi në momentin e duhur ndaj kryeministrit.
Ata nuk janë pesë si në filmin “Çeta e vogël me pesë vetë”, por realisht po shkojnë te numrat e një ekipi futbolli!
Gazeta Koha e Jone