![](https://i0.wp.com/www.shqiperia.com/blog/wp-content/uploads/2025/02/rama-veliaj5-1.webp?fit=633%2C347&ssl=1)
A po ndërron kurs Edi Rama? Bie Belinda Balluku, ngrihet Erion Veliaj, kreu i PS përmbys raportet në parti…
Nga: Elmas Bogdani
Teksa gjithë vëmendja e debatit publik dhe politik është fokusuar tek ish-kryeministri Sali Berisha, Partia Demokratike dhe situata e kandidimit të ish-presidentit Ilir Meta në zgjedhjet e 11 majit, situatë aspak të qetë duket se po kalon edhe Partia Socialiste. Skandalet që kanë plasur dhe dosjet që pritet të shpërthejnë nga SPAK, ku të implikuar janë personazhe “VIP” të PS, kanë bërë që të gjithë të jenë në ankth dhe frikë. Ujërat në selinë rozë po i trazon dhe më shumë qëndrimi i fundit që mbajti kryeministri Edi Rama ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj. “Bashkia e Tiranës është lokomotiva në të gjitha drejtimet dhe mbështetja jonë”, tha Rama dy ditë më parë në përurimin e godinave 16 dhe 17 në Qytetin Studenti, tashmë të rikonstruktuara me kushte bashkëkohore.
Ky ishte një nga rastet e rralla të një daljeje publike të përbashkët mes Ramës dhe Veliajt, pas një periudhe të gjatë në të cilën kryeministri dukej se e kishte distancuar kryebashkiakun e Tiranës. Kjo erdhi në një kohë kur SPAK ka nisur hetimet ndaj Veliajt për akuza që përfshijnë korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë. Hetimet janë intensifikuar me kontrolle në banesat dhe bizneset e familjarëve të tij, si dhe me sekuestrimin e celularëve. Në muajt e fundit, Veliaj është parë gjithnjë e më pak në takimet politike apo në daljet publike përkrah Ramës. Edhe në rastet kur ishte i pranishëm, ai kishte një rol dytësor. Megjithatë, ditët e fundit ka një riaktivizim të dukshëm të Veliajt, i cili po rikthehet në skenën politike.
Rama ngre në qiell punën e Veliajt
Jo vetëm kaq, kryeministri edhe ditën e djeshme lavdëroi si asnjëherë më parë punët e Veliajt në Tiranë. Një fjalë përshëndetëse në samitin “Pakti i Qyteteve të Lira” që u zhvillua për herë të parë në Tiranë, Rama tha se Tirana sot është shndërruar në një nga destinacionet kryesore të Shqipërisë për turistët. Sipas Ramës ky transformim është i jashtëzakonshëm. “Më vjen mirë që në Tiranë, jo vetëm ofrojmë mikpritjen tonë, por edhe mundësinë e një eksperience në një kryeqytet që sot është bërë një nga destinacionet kryeqsore të Shqipërisë, gjë që nuk imagjinohej disa vite më parë. Sot Tirana është kthyer në një platformë të jashtëzakonshme të arkitekturës bashkëkohore. Ne kemi në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë për hir të së vërtetës, një numër të konsiderueshëm arkitektësh të prestigjit më të lartë ndërkombëtar. Tiranës i shkon më së miri shprehja: Lum kush të rrojë, ta shohë zonjë. Sepse do të duhet edhe ca kohë që gjithë këto projekte të kthehen nga dosje të punuara prej arkitektësh të jashtëzakonshëm në objekte të jashtëzakonshme. Megjithatë që tani ka filluar dhe duket kjo që po ndodh dhe ky është vetëm fillimi i një gjerdani goxha të lartë veprash të arkitekturës bashkëkohore. Nuk dua të flas shumë për Tiranën, sepse tjetër kush është në krye të punëve të Tiranës”, u shpreh Rama.
Bie Belinda Balluku
Shohim që ka një përmbysje raportesh në parti. Tashmë e preferuara e Ramës, Belinda Balluku, e cila ka marrë pushtet shumë të madh brenda PS ndodhet në pozita shumë të vështira. Mesa duket pushteti i saj i marrë me forcë në PS do të përfundojë shumë keq. Burime bëjnë me dije se Prokuroria e Posaçme në dosjet korruptive që po heton ka zbardhur qindra përgjime që implikojnë Ballukun në batërdinë miliona euro që bashkë me drejtorët e saj të arrestuar dhe nën hetim i kanë bërë dhe po i bëjnë buxhetit të shtetit. Madje hetimet e aferës së Tunelit të Llogarasë nga SPAK janë drejt fundit. Kjo dosje “gropos” Belinda Ballukun. Ekzistojnë të dhëna, përfshirë dëshmitë publike të Arben Ahmetajt, një prej pjesëmarrësve në takim, se kompania fiktive turke u paracaktua si fituese në një takim në Ankara, Turqi, të zhvilluar në datën 3 Qershor 2021, pra 21 ditë para rishpalljes së tenderit. Aty u bë pazari ku me një të rënë të lapsit, Balluku i shkaktoi 50 milionë euro dëm buxhetit të shtetit shqiptar. Kjo është një nga dhjetëra dosje që ka të hapura Balluku në SPAK.
Ndërrim kursi apo strategji afatgjatë?
Duke parë këto zhvillime në PS, mbetet pyetja: a po ndryshon vërtet kurs Edi Rama apo kjo është thjesht një strategji për zgjedhjet e 11 majit? Nëse Veliaj është favoriti brenda PS-së atëherë do të kemi një ndryshim të madh në raportet e brendshme të pushtetit. Në politikën shqiptare, asgjë nuk është e rastësishme dhe çdo lëvizje ka prapaskenat e veta. Nëse ky rikonfigurim i forcave është një shenjë e një kapitulli të ri për Partinë Socialiste apo thjesht një zhvendosje taktike, mbetet për t’u parë në javët në vijim. Një gjë është e sigurtë, piketat për të marrë frenat e PS janë hedhur që tani. Për të hedhur në erë planet e Veliajt, gjatë gjithë kësaj kohe në lojë janë futur edhe figura të tjera nga PS.
Mësohet se janë krijuar klanet për të dobësuar dhe mposhtur Erion Veliajn. Në këtë kontekst, mësohet se në prapaskenë po bëhet një luftë shumë e fortë, ku secili klan punon fort, në mënyrë që të fitojë simpatinë e kryeministrit Rama, me qëllim që në momentin e largimit të tij nga politika rruga të jetë e hapur. Por tashmë një rol të rëndësishëm ka SPAK. Nëse Erion Veliaj del i pastër nga çështjet që po hetohet, ai do të dalë dhjetë herë më i fortë dhe askush në PS nuk mund t’i dalë dot më përpara. As vetë Edi Rama, i cili ka probleme të hapura vetë me drejtësinë.