A po përgatiten rusët të sulmojnë Moldavinë – Një nga skenarët e mundshëm do të destabilizonte Ballkanin

A po përgatiten rusët të sulmojnë Moldavinë: – Një nga skenarët e mundshëm do të destabilizonte Ballkanin

2 Maji 2022

 “The Times” botoi një analizë ku thuhet se Federata Ruse tashmë ka marrë një vendim për të sulmuar Moldavinë me justifikimin e mbrojtjes së popullsisë ruse në rajonin separatist të Transnistrias.

Sipas gazetës britanike, informacione të shumta nga burime të inteligjencës tregojnë se rusët mund të nisin aktivitetet në fillim të muajit maj për bashkimin e pjesëve të Ukrainës jugore të kontrolluara nga Rusia dhe rajonit Transnistrian në Moldavi.

“Tashmë janë vënë re disa aktivitete në aeroportin e Tiraspolit, kryeqyteti i Transnistrias – rajon moldav (që ka shpallur njëanshëm pavarësinë në vitin 1990). Rusët do të përpiqen të dërgojnë trupat e tyre me aeroplanë dhe helikopterë Il-76, të cilët do të ngriheshin nga Krimea. Në të njëjtën kohë, Kryeqyteti i Moldavisë, Kishinau do të organizonte protesta dhe trazira”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, gazeta britanike vë në dukje se informacioni që ata zotërojnë nuk është në përputhje me vlerësimet e tjera të inteligjencës që sugjerojnë se Rusia nuk është në gjendje të sigurojë një rrugë adekuate për aeroplanët e saj, duke mos rrezikuar të rrëzohen nga mbrojtja ajrore ukrainase pran Odessas.

“Për të transferuar municione dhe trupa, Rusia do të duhet të ndërtojë një korridor tokësor nga Khersoni përmes një pjese të Mykolayivit dhe Odessas. Atje, ata do të përballen me rezistencë të ashpër të forcave ukrainase”, shkruan më tutje gazeta.

Në analizë, The Times iu referua edhe datës së mundshme të sulmit ndaj Moldavisë.

“Rusia mund të përpiqet të pushtojë Moldavinë rreth 9 majit. Në atë datë, Putini mund të shpallë njohjen e pavarësisë së Transnistrisë, e cila do të dërgonte në një skenar të ngjashëm me Donbasin dhe do të përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për integritetin territorial të Moldavisë. Rusët më pas do të fillonin dërgimin e sasive të mëdha të armëve në vend përpara se të përpiqen ta bëjnë pjesë të Rusisë”, shpjegojnë ata.

Sipas analistëve ushtarakë britanikë, një operacion i tillë ushtarak nga forcat ruse mund t’i shërbejë Rusisë për tre qëllime.

“Ata do të tërhiqnin një pjesë të forcave ukrainase nga pjesa qendrore në jugperëndim, do të minonin politikën pro-evropiane të qeverisë moldave dhe do të synonin të frikësonin Perëndimin, duke sugjeruar se mbështetja për Ukrainën mund të destabilizojë më tej rajonin, përfshirë Ballkanin”, shkruan në raportin e tyre.

Ndryshe, Rusia ka vazhduar edhe sot me bombardime duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Gazeta Dita