A po përgatitet shfuqizimi i shqipes si gjuhë zyrtare!
Pas VMRO-së, ZNAM-it dhe organizatave të shumta maqedonase, edhe Gjykata Kushtetuese dëshiron të shfuqizojë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, konkretisht shfuqizimin e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në vend. “Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, politika krijoi një lloj kaosi juridik që më pastaj rezultoi edhe me kaos politik, mosbesim dhe dilema”, arsyetohet kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski. “Mos e prekni gjuhën shqipe!”, reagon Fronti Europian, ndërkohë që asnjë reagim nga partnerët qeverisës të koalicionit VLEN
Shkup, 30 gusht – Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, politika krijoi një lloj kaosi juridik që më pastaj rezultoi edhe me kaos politik, mosbesim dhe dilema. Kështu ka deklaruar kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, i cili në shikim të parë, duket se po paralajmëron shfuqizimin e ligjit, konkretisht të shfuqizimit të gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në vend.
“Publiku ka parë tashmë raportin e Komisionit të Venecias. Gjykata Kushtetuese është në lëvizje jo për të qenë e mençur, por për të marrë një vendim të bazuar në kushtetutë-ligjore dhe të arsyetuar. Çfarë mund të vendoset, nuk e di, nuk mund ta di dhe nuk do të komentoj. Sepse, me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, politika krijoi një lloj kaosi juridik që më pastaj rezultoi edhe me kaos politik, mosbesim dhe dilema”, thotë Kostadinovski për agjencinë e lajmeve MIA.Kostadinovski këtë koment e ka bërë pasi në Gjykatën që drejtohet nga ai, lënda e Ligjit për përdorimin e gjuhëve kontestohet nga 13 nisma që vijnë nga organizata qytetare, parti politike, shoqata të ndryshme…., shkruan gazeta KOHA.
“Jemi të vetëdijshëm për interesin publik dhe për pasojat e mundshme nëse Gjykata vendos të shfuqizojë ose lërë në fuqi këtë ligj ose të ndërhyjë në dispozita të caktuara. Është e mundur të ketë pakënaqësi. Ajo që është e rëndësishme është që para se të bëni ndonjë koment, të shihni objektivisht argumentet në çdo vendim. Vendimi i Gjykatës duhet të respektohet dhe të pranohet si shprehje e pjekurisë së politikës dhe shoqërisë, vendimi duhet të jetë kornizë udhëzuese për veprimin e ligjvënësit”, thekson Kostadinovski, ndërsa nga deklarata, lë të nënkuptohet se i njëjti do të shfuqizohet. Madje, ai prejudikon kur thotë se “fakt është se ligji kështu siç është krijon probleme në zbatimin e tij”.
KOSTADINOVSKI KËRKON TË RESPEKTOHET VENDIMI I GJYKATËS
“Nga ky aspekt, nga 1 shtatori, me hyrjen në fuqi të Aktit të ri të Gjykatës, për të shmangur pasoja të dëmshme për qytetarët, Gjykata Kushtetuese ka mundësinë që me një vendim të mundshëm të nisë procedurën për përcaktimin e afatit në të cilin ligjvënësi (Parlamenti) duhet të respektojë dhe të heqë çdo dispozitë problematike kushtetuese brenda një periudhe jo më të gjatë se gjashtë muaj. Nuk mund ta parashikoj nëse kjo do të ndodhë!”, shton Kostadinovski. I pyetur nëse Gjykata do të arrijë të balancojë me mençuri pa i prishur marrëdhëniet politiko-etnike në vend si dhe sfidat e mundshme të sigurisë, Kostadinovski sqaron se Gjykata Kushtetuese mban barrën më të madhe për të vendosur për çdo çështje delikate, por siç thotë ai, për këtë punë është Gjykata.Ai thekson se si një nga gjyqtarët me shërbimin më të gjatë në përbërjen aktuale, ka qenë dëshmitar i disa situatave të tilla.
“Përvoja më ka treguar dy gjëra të rëndësishme, të cilat janë të rëndësishme edhe për mandatin tim si kryetar. E para është: A është e justifikuar vonimi i vendimit për një çështje të caktuar në emër të ndjeshmërisë dhe reagimeve dhe implikimeve të mundshme shoqërore dhe a ia ka arritur qëllimit? Jo, ndjeshmëria e çështjeve të tilla nuk kufizohet me një hark kohor, ndjeshmëria nuk zvogëlohet me kalimin e kohës, ato kanë qenë dhe janë lëndë të ndjeshme para katër vitesh si dhe sot, dhe nga ky aspekt është më mirë dhe më e shëndetshme që Gjykata të procedojë sa më shpejt dhe pa kalkulime për të vendosur, ekskluzivisht me argumente kushtetuese-juridike, prandaj si kryetar me këtë përvojë do të angazhohem për një vendim sa më të shpejtë për lëndët, pavarësisht shkallës së ndjeshmërisë së tyre, thekson kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, pyetja e dytë ekskluzivisht relevante si për Gjykatën ashtu edhe për këto çështje të rëndësishme që po flasim, por edhe për shtetin e së drejtës është: A jemi të gatshëm dhe të pjekur si shoqëri për t’u përballur me vendimet e Gjykatës, të cilat sigurisht që janë me interes të lartë publik.
“Duhet të jemi të sinqertë dhe të pyesim veten nëse jemi një demokraci e qëndrueshme, a është e nevojshme dhe e domosdoshme që të bëjmë hapin dhe kalimin në një demokraci të pjekur? Qëndrimi im është i qartë. Qëndrimi im është se është e nevojshme, se është koha për ta bërë atë hap drejt një demokracie të pjekur”, thekson Kostadinovski.
FRONTI EUROPIAN: MOS E PREKNI GJUHËN SHQIPE!
Megjithatë, për Frontin Europian, deklaratat e kreut të Gjykatës Kushtetuese, por edhe të VMRO-së dhe organizatave tjera maqedonase të afërta me VMRO-në, janë skenarë të qëllimshëm për të shfuqizuar gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në shtet.
“Pas deklaratave politike nga VMRO, ZNAM dhe përfaqësues të tjerë qeveritar kundër Balancuesit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, sot dëgjuam edhe një deklaratë shqetësuese nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, për gjoja ‘heqje të dilemave’ për Balansuesin dhe ligjin e gjuhëve, të cilën e shohim si të motivuar politikisht. Hapja e temave të këtilla dhe çdo vendim eventual në drejtim të cenimit të mekanizmave dhe të drejtave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, nuk është asgjë tjetër veçse rikthim i Maqedonisë së Veriut në kohën para Marrëveshjes së Ohrit. Këto deklarata dhe veprime, janë skenarët e vërtetë për destabilizim të vendit dhe tregojnë qartë se kush janë ata që dëshirojnë dhe provokojnë tensione”, reagon Fronti Europian.
Duam t’i rikujtojmë pushtetit aktual se, thuhet më tej në reagimin e Frontit, këto tema nuk kanë dilema dhe janë mbyllur edhe me amendamentet kushtetuese edhe me ligjet e tjera në fuqi, të cilat janë votuar me shumicë të dyfishtë dhe absolute, nga përbërje të ndryshme parlamentare ku kanë participuar të gjitha partitë më të mëdha maqedonase.
“Dilemat eventuale janë konsumuar dhe zgjidhur në institucionin më të lartë ligjvënës, në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut dhe shumica dërmuese prej tyre me konsensus politik dhe me miratim të ekspertëve të fushatës. Për të gjitha këto arritje që i siguruan vendit kohezionin ndëretnik, barazinë e bashkësive etnike dhe qytetarëve në përgjithësi, si dhe të ardhmen euro-atlantike, garantues janë edhe faktori ndërkombëtar, SHBA-të dhe vendet anëtare të BE-së. Njëkohësisht ju bëjmë thirrje partive shqiptare që pa legjitimitet hyjnë në këtë Qeveri monoetnike të tërhiqen nga kjo aventurë dhe të kuptojnë se aty janë vetëm për tu shërbyer projekteve antishqiptare duke i aprovuar ato me heshtjen dhe servilizmin e tyre”, thuhet në reagim.
Ndryshe, një ndër vendimet e para të Qeverisë VMRO-VLEN-ZNAM ishte heqja e Balancuesit, konkretisht rënia e përqindjes së përfaqësimit të shqiptarëve e llogaritur në bazë të numrit të përgjithshëm të Regjistrimit të Popullatës. Me vendim të Ministrisë së Administratës, tashmë është ndryshuar formulën e Balancuesit, ose nga 29.5 % siç ka qenë përqindja e popullsisë shqiptare, tashmë e njëjta ka rënë në 24.3%, që nënkupton mijëra shqiptarë më pak në institucionet shtetërore. (koha.mk)