A po shpopullohet Kosova? Projekt i kujt është shpopullimi i shqiptarëve?
5 Gusht 2022
NGA Hava ORANA XHUKOLLI
“Sipas disa statistikave Kosova pas luftës kishte rreth 2.2 milionë banorë, ndërsa pas 20 vitesh ka rreth 1.6 milionë banorë”.
Numri i shqiptarëve në Kosovë ka rënë në mënyrë shqetësuese, veçmas në dekadën e fundit.
Kjo ҫështje shumë shqetësuese po i mundon shqiptarët për vite me radhë, ndërsa zgjidhje nuk po ka. Një ndër pjesët që më së shumti po shpopullohet nga qytetarët e Kosovës, është pjesa e veriut.
Kështu, pak javë më parë banorët shqiptar të pjesës veriore të Kosovës kanë shfaqur shqetësimin e tyre se në pjesën veriore të vendit po vazhdon të realizohet spastrimi etnik, qëllim ky i kamotshëm i Serbisë. Ata kanë theksuar se banorët shqiptar të Lagjes së Boshnjakëve në veri të Mitrovicës janë duke i shitur me të madhe shtëpitë e tyre për para të majme. Ato po i blenë Qeveria e Serbisë duke realizuar kështu planin e saj strategjik të kamotshëm, spastrimin etnik dhe ndryshimin e strukturës demografike në këtë pjesë të rëndësishme të qytetit të Mitrovicës dhe të vendit në përgjithësi.
Sipas disa statistikave Kosova pas luftës kishte rreth 2.2 milionë banorë, ndërsa pas 20 vitesh ka rreth 1.6 milionë banorë, që së bashku me shtimin e humbur të popullsisë, rezulton se kemi së paku një milion më pak, se sa që do të duhej të kishte Kosova.
Lidhur me këtëҫështje, profesori dhe njohësi i ҫështjeve politike, SulejmanMehazi në një prononcim dhënë për ‘Bota sot’, thotë se Kosova, Shqipëria e RMV-ja po zbrazen e ne jemi duke bërë sehir e duke u pajtuar heshturazi se ç’ndodh me ne?, ç’është e pse ky largim masiv i qytetarëve drejt shteteve perëndimore, SHBA-ve e gjetiu? Ku është faji i shpopullimit të shqiptarëve?, të themi se faji është te të tjerët?
Sulejman Mehazi: Këta janë faktorët që po ndikojnë në shpopullimin e Kosovës
“Nuk është e vërtetë se faji është tek të tjerët. Faji për shpërnguljet dhe largimet e popullatës sidomos të rinisë kosovare është brenda nesh, iudhëheqësve politikë të papërgjegjshëm e të korruptuar, te gjyqet e politizuara e të kriminalizuara, te marrëzitë e përgjithshme shtetërore, ekonomike, sociale, shëndetësore e arsimore”, thekson Mehazi.
Ai thotë se shkaqet e shpopullimit të Kosovës janë të panumërta si në aspektin politik, juridik, ekonomik e social, po aq edhe në aspektin psikologjik të pakënaqësive jetësore me paga të ulëta, pa farë të drejtash shëndetësore e pensionesh, kushtet e këqija të punës, pasiguria politike e ekonomike, vendet joadekuate të punës, diskriminimi e nënçmimi i punëtorëve etj.
“Kur shteti e qeveria qytetarëve nuk mund t’ua sigurojë një jetë normale atëherë s’u ka mbetur gjë tjetër përveç që të marrin kuferat e të largohen nga sytë këmbët.Shkaqet e shpopullimit të Kosovës sa janë politike, ekonomike sociale, po aq edhe psikologjike. Themi kështu për shkak se të gjithë ne që nga politikanët, intelektualët e deri te qytetarët e thjeshtë është krijuar psikologjia e largimit nga trojet tona, gjoja se për jetë më të mirë. Të gjithë, aman të gjithë, që nga bisedat e prindërve, debateve televizive, mediave, që nga intelektualët e akademikët, që nga institucionet shkollore, mjekësore, juridike, politike kemi bërë një ambient psikologjik të së keqes për vendlindjen, kurse të të mirës për shtetet perëndimore. Që nga rënia e komunizmit ne çdoherë kemi kritikuar shtetet tona duke lavdëruar e folur fjalë miradie e dashurore për shtetet perëndimore e SHBA-të, duke përmendur çdo orë e ditë sloganet: BE-ja, SHBA-ja e NATO-ja, aq sa qytetarëve e rinisë sonë ua kemi ngulitur në mendje, zemër e në shpirt jo atdheun e Kosovës, por BE-në, SHBA-në e NATO-n”, vlerëson ai.
Sipas Mehazit, projekti i shpopullimit të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi mund të jete edhe globalizmi botëror.
“Qëllimi i politikës globale botërore është që për hirë të materiales të zhduket nacionalja. Të gjithë ata udhëheqës shtetëror që shprehin nacionalen të komprometohen para popullatës së tyre, e më vonë të eliminohen nga s’kena politike. S’është rastësi kjo që ndodhë me udhëheqësit tanë, të cilët gjatë luftërave në Kosovë e Maqedoni ishin të parët e patriotizmit kombëtarë, tani për shkak tëglobalizimit botëror, duken si tradhtarë.Mos dhe globalizmi e ka bërë që popullata shqiptare ta le nacional- kombëtaren për të marrë njëmendësinë globale. Tani më nacionalja është kthyer në dashuri evropiane. Tani më toka jona, atdheu ynë, vendlindja na duket e huaj, e padobishme, e neveritshme, armiqësore”, potencoi profesor Mehazi.
Mulliqi: Politikat tona të gabuara dhe depresioni i përgjithshëm i shkaktuar nga këto politika ka bërë që largimet ende mos të ndalën
“Dihet për projektin famëkeq të Vasa Qubriloviqit të vitit 1937, dhe këto po i vazhdon majtisti,GjorgjSoros me sejmenët e vet.Ky plan ishte i influencuar politikisht, i përcjellë rreptë edhe më masa të aparatit represiv.Nëse Serbia kishte dhe ka për qëllim zhdukjen e qenies tonë kombëtare përmes elaborateve shfarosëse,tash në kushtet kur nuk e kemi Serbinë më mbi kokë, nuk justifikohen largimet masive nga vendi, siҫ po na ndodhë krejt pas luftën.Edhe tash, por natyrisht në formë tjetër, largimet po bëhen për shkak të politikave jo largpamëse të pushteteve. Kurrë nuk patën interesimin e duhur klasa politike që seriozisht ta elaborojë temën e largimit nga vendi, sidomos të gjeneratës së re.Politikat tona të gabuara dhe depresioni i përgjithshëm i shkaktuar nga këto politika ka bërë që largimet ende mos të ndalen”, thekson Mulliqi.
Ai thotë më tutje se Kosova po shpopullohet gjithnjë e më shumë,e kjo është brengosëse. Është shqetësuese se ne jemi një vend i vogël me pak banorë dhe çdo largim është më i ndjeshëm, se në shtetet e mëdha.
“Një tjetër indikator për largim gjatë këtyre viteve të shtegtimit në liri është fenomeni i korrupsionit dhe krimit të organizuar,mos ofrimi i mirëqenies ka shtyrë më shumë emigrimin se sa fenomenet tjera të natyrës psikologjike. Emigrimi më duket se i ka kaluar përmasat e emigrimit të një procesi natyror, që natyrisht ka rritje në kushtet e globalizmit.Ende nuk kemi statistika shumë të besueshme lidhur me këtë temë, edhe për faktin se emigrimi është një gjendje fluksi. Një element tjetër që po i ndihmon emigrimit në këtë mënyrë, është edhe zvogëlimi i natalitetit.Është koha e fundit që të hapen perspektiva të reja, që rinia jonë mos të marrin një rrugë të tillë, gati të pa kthim për në Evropë, për të krijuar një jetë më të mirë atje. Ekzistojnë parakushtet, por edhe kushtet që në Kosovë të jetohet shumë më mirë, e jo të pritet gjatë për të siguruar një vend të punës. 20 vite janë shumë të gjata për të pritur.Kjo logjikë pritjeje demoralizuese edhe ka qenë një indiktaror shtesë për largime të mëdha nga vendi”, vlerëson ai.
Sipas Mulliqit, kjo temë nuk guxon të neglizhohet më shumë, se është në pyetje interesi shtetërorë dhe nacional. Aq më keq kur emigrimi po merrë përmasë edhe të largimit elitarë.
”Kjo ikje e trurit po i shkakton dëme Kosovës dhe përgjithësisht shqiptarëve.Duhet të largohen më shpejt arsyet politike dhe ato të karakterit ekonomiko-social, që kjo gjendje e emigrimit të bie në suaza të normalitetit. Pushteti aktual nuk guxon më të shkelë mbi dërrasa të kalbura si deri më tash.Duhet të nxiton në përmirësimin e kushteve të jetës, të hapë perspektiva zhvillimore.Vetëm kështu i mbyllen rrugët konceptit të largimit që është ngulitur dhe po vazhdon nga ana e të rinjve.Kosova po mbetet gjithnjë e më shumë mepleqë dhe plaka”, thotë Mulliqi.
Gazeta Bota Sot, Prishtine