10 Janar 2025

Administrata e Presidentit Joe Biden nguli këmbë të enjten në një rast të pazakontë gjyqësor për të penguar marrëveshjen për pranimin e fajësisë që vetë qeveria amerikane ka arritur me Khalid Sheikh Mohammedin, organizatorin e akuzuar për sulmin e 11 shtatorit.

Administrata amerikane i bëri thirrje një trupe federale apeli që të bllokojë marrëveshjen për pranimin e fajësisë, e cila është planifikuar të finalizohet të premten në Guantanamo të Kubës. Avokatët mbrojtës i përshkruan këto përpjekje të administratës për të shfuqizuar marrëveshjen si shembullin e fundit të një trajtimi të gabuar – “neglizhent” – të rastit nga ushtria amerikane dhe administratat e njëpasnjëshme gjatë dy dekadave të fundit.

Kjo betejë po vë përballë administratën e Presidentit Biden me zyrtarët ushtarakë amerikanë, të emëruar për të mbikëqyrur rastet gjyqësore që lidhen me sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 të Al-Kaidës, që shkaktuan vdekjen e rreth 3,000 personave.

Një dokument i ri i dorëzuar të enjten nga avokatët e Departamentit amerikan të Drejtësisë argumentonte se për shkak të peshës së këtij “rasti jashtëzakonisht të rëndësishëm” është e domosdoshme ndërhyrja e Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin për ta hedhur poshtë marrëveshjen e pranimit të fajësisë.

Marrëveshja, e negociuar gjatë një periudhe dy vjeçare dhe e miratuar nga prokurorët ushtarakë dhe zyrtari përgjegjës i Pentagonit për Guantanamon në fund të muajit korrik, do të shmangte dënimin me vdekje për të akuzuarin Mohammed dhe dy të pandehur të tjerë. Kjo marrëveshje i detyron ata gjithashtu që t’u përgjigjen pyetjeve mbi sulmet që mund t’u kenë mbetur peng familjeve të viktimave.

Avokatët mbrojtës thonë se marrëveshjet për pranimin e fajësisë tanimë kanë hyrë në fuqi dhe se Sekretari Austin nuk ka kompetenca ligjore për t’i hedhur poshtë më ato.

Në Guantanamo, përgatitjet po vazhdojnë për seancën e të premtes dhe familjarët e disa prej viktimave tashmë janë mbledhur. Nëse mbahet seanca, i akuzuari Mohammed do të betohej në sallën e gjykatës ushtarake dhe më pas avokati mbrojtës Gary Sowards do të dorëzonte deklaratat e pranimit të fajësisë në emër të tij për 2,976 vrasje, krahas akuzave të tjera.

Aktet e pranimit të fajësisë nga dy të pandehurit tjerë, Walid bin Attash dhe Mustafa al Hawsawi do të bëhen më pas, në fund të këtij muaji. Avokatët thonë se seancat për të përcaktuar dënimin e tyre do të zgjasin me muaj, duke i dhënë qeverisë mundësi për të paraqitur argumentet e saj dhe duke iu mundësuar familjeve të flasin për humbjen e tyre.

Paneli federal i apelit pritet të marrë një vendim rreth kërkesës urgjente të administratës së Presidentit Biden gjatë ditës së enjte.

Sfidat ligjore dhe logjistike e zvarritën çështjen për sulmet e 11 shtator, 17 vjet pasi ngritjes së aktpadisë kundër të akuzuarit Mohammed, për të cilin prokurorët thonë se ideoi përdorimin e aeroplanëve të rrëmbyer në këto sulme. Data e gjykimit ende nuk është përcaktuar.

Prokuroria dhe avokatët mbrojtës kaluan vite të tëra duke debatuar se sa kanë ndikuar torturat të cilave u janë nënshtruar të pandehurit e mbajtur nga Agjencia amerikane e Zbulimit, CIA, tek deklaratat e tyre të mëvonshme në gjykatë.

Duke patur këtë parasysh, prokurorët ushtarakë njoftuan familje e viktimave këtë verë se zyrtari i lartë i Pentagonit që mbikëqyr Guantanamon e ka miratuar marrëveshjen e pranimit të fajësisë. Ata e quajtën atë “rruga më e mirë drejt një fundi dhe drejtësisë”.

Sekretari Austin njoftoi papritur me 2 gusht që po e hidhte poshtë marrëveshjen. Ai tha se vendimi mbi dënimet me vdekje për një rast aq të rëndë sa ai i 11 shtatorit, duhet të merret vetëm nga sekretari i mbrojtjes.

Administrata e Presidentit Biden iu drejtua gjykatës së apelit në Uashington këtë javë pasi gjykatësi në Guantanamo dhe paneli ushtarak për shqyrtim hodhën poshtë ndërhyrjen e Sekretarit Austin.

Avokatët e të pandehurit Mohammed argumentuan se “ndërhyrja e jashtëzakonshme e Sekretarit Austin në këtë rast është produkt i mungesës së mbikëqyrjes së tij ndaj një të dërguari të emëruar sipas procedurës”, duke iu referuar zyrtares së lartë të Pentagonit që bën mbikëqyrjen e Guantanamos.

Departamenti i Drejtësisë tha se qeveria do të dëmtohet rëndë nëse pranohen marrëveshjet e pranimit të fajësisë.

Sipas tij, qeverisë do t’i mohohet mundësia për një gjykim publik dhe mundësia për “të synuar dënim kapital ndaj tre të akuzuarve për një akt vrasjeje në masë të tmerrshëm që shkaktoi vdekjen e mijëra njerëzve dhe tronditi vendin dhe botën”./VOA