Adrian Devolli: Këtu çdo gjë ka mbaruar, në Ministri të Kulturës vegjetojnë, GKA është kthyer si institucion privat, IMK nuk ekziston…-
Adrian Devolli: Këtu çdo gjë ka mbaruar, në Ministri të Kulturës vegjetojnë, GKA është kthyer si institucion privat, IMK nuk ekziston… –
- Në Tiranë nuk ka salla ekspozimi, por dhe GKA vijon të qëndrojë pa aktivitete duke bërë që artistët të pohojnë se është një situatë, që nuk po mendohet për jetën artistike dhe aktivitetin e tyre. Për piktorin e njohur Adrian Devolli përgjegjësia shkon në institucionet përgjegjëse, që as nuk kanë menduar të hapin një sallë ekspozimi, por dhe për institucionet që janë në varësi të Ministrisë së Kulturës gjendje e tyre është larg asaj që prisnin piktorët. Nuk është hera e parë që artistë të njohur i drejtohen Ministrisë së Kulturës, e cila sipas tyre është kthyer në një institucion që vegjeton dhe puna që bën për artin figurativ është shumë pak. Për “SOT” piktori i njohur Adrian Devolli pohon se kur në disa qytete është menduar të rregullohen galeritë, në Tiranë nuk ka një sallë ekspozimi veprash që të jetë nën kujdesin shtetëror. Akuzuat e artistit shkojnë për Ministrinë e Kulturës që sipas tij sot ka përballë dhe një Galeri Kombëtar të Arteve, që nuk ka deri tani asnjë plan artistik të prezantuar për artistët. Piktori Devolli pohon se është një situatë, që nuk shpreson shumë për aktivitetin e artistëve.
-Në vijim të aktivitetit tuaj, ekspozita e fundit ku morët pjesë ishte në qytetin e Fierit. Sa rëndësi kishte për ju prezantimi, një ekspozitë që bëri bashkë një grup artistësh?
Ekspozita që u çel në qytetin e Fierit përmbante punët e një grupi artistësh, dhe është një galeri shumë e mirë ku ne ekspozuam veprat. Ekspozita hapet çdo vit, dhe ftohen artistët nga Tirana, këtë herë ishte dhe Aleksandër Filipi, Gazmend Leka, Maksim Bushi, etj. Më vjen mirë që në Fier ne si artistë shikojmë, që kanë një galeri shumë të mirë. Një galeri e re, që mund të ekspozosh shumë mirë veprat e artit. Duke parë këtë galeri në qytetin e Fierit më vjen keq kur shikoj që në disa qytete ose nuk ka fare galeri, por dhe ato që janë lënë për të dëshiruar për ekspozim veprash. Problemi sot në galeritë me probleme është që nuk gjejnë mbështetje nga bashkitë, nuk ka përkrahje për të vijuar aktivitetin. Nga bashkitë përkatëse nuk ka asnjë lloj interesimi. Por Tirana është më keq se sa rrethet sa i takon ekspozimit të veprave. E them këtë sepse Tirana dhe sot që ne flasim nuk ka një sallë ekspozimi për veprat e artit. Ne si artistë kemi vite që e kemi kërkuar një sallë ekspozimi si nga ata që ishin më parë në bashki dhe këta sot, por ende nuk është bërë gjë për artistët. U gënjye që kur ishte në bashki Basha që pati thënë që në pedonale do të bëhet një galeri e madhe, dhe vijon e njëjta situatë, dhe sot që flasim nuk kemi një galeri arti të qytetit të Tiranës. Pra Tirana duke qenë kryeqytet mund të duket paradoks, por nuk ka as edhe një sallë ekspozimi që të jetë nën kujdesin e bashkisë apo ministrisë për të ekspozuar artistët.
-Në këto kushte ju jeni shprehur se i drejtoheni Muzeut Kombëtar për ekspozita, sa ju plotëson salla atje?
Muzeu Historik Kombëtar është nga halli për ne, që shkojmë dhe ekspozojmë veprat tona. Me gjithë dashamirësinë që ka si institucion dhe pret artistët, sërish e them që ne atje ekspozojmë veprat tona nga halli, sepse nuk kemi sallë tjetër galerie. Sallat që janë në MHK nuk mbulojnë as parametrat minimalë të ndriçimit, që duhet për një galeri. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për një investim për sallën e muzeut që kushton m miliona euro, por një investim minimal. Ne si artistë e kemi kërkuar me kohë një sallë ekspozimi të kryeqytetit, por nuk është bërë. Janë salla në galeri private të artit, por janë pak.
-Meqë po flisni për galeritë, GKA u bë disa muaj që nuk ka aktivitete. Për ju si është kjo situatë?
Mua në këtë vend të gjitha gjërat më duken anormale. Asgjë normale. Këtu tek ne duket normale po të flasim për hajdutë dhe banditë, ky vend për këto mund të duket normal. Nëse këtu flitet për nivele për artistike, Shqipëria nuk prodhon asgjë.E gjykoj si anormale, që prej disa muajsh Galeria Kombëtare e Arteve nuk ka prezantuar as kalendar artistik, as aktivitete, asgjë. Në një vend që nuk afrohet asgjë është e tmerrshme që krijuesit të rrinë qosheve dhe studiove dhe mos t’i shpalosin vlera e tyre. Kur nuk ndjehet asnjë lloj stimulimi edhe nga Ministria e Kulturës që është e para që ka përgjegjësinë për institucionet dhe artistët. Jo vetëm me ministren Kumbaro, por dhe me ministrat para saj, e njëjta situatë ka qenë për artistët dhe institucionet. Drejtori i GKA duhet të kishte shpalosur me kohë planin e aktiviteteve. Është absurde që rri në këtë gjendje ai institucion. Përderisa një drejtor zgjidhet me rekomandim dhe nuk ka asnjë lloj biografie artistike, unë as nuk e di kush është ky, atëherë për mua apo dhe kolegë të mi ai është një person anonim. Por po sillet sikur e ka institucion privat GKA. Edhe para ’90, GKA kishte një këshill artistik, pra nuk ishte drejtori që vendoste por këshilli artistik. Këshilli artistik vendoste çfarë ekspozitash do të jenë dhe si do bëhen. Por duke qenë se deri tani kjo punë nuk bëhet, nuk ka një këshill artistik, nuk ka një këshill për restaurimin, etj, do të thotë që në galeri çalojnë gjërat.
-Drejtori i ri ka formuar një këshilli të ri artistik…
Nëse e paska formuar një këshill të ri artistik drejtori i ri në GKA atëherë të nisin punën dhe të mos rrinë. Të programojnë aktivitetin për galerinë, le ta bëjnë publik aktivitetin e gjithë vitit. Është shumë vonë, s’e kuptoj pse rrinë. Unë dua të di çfarë aktivitetesh janë në GKA dhe sa përfshihen në galeri artistët që jetojnë në Shqipëri, dhe jo ata që janë jashtë nëpër botë. Hero është ai artist që zhvillon aktivitetin këtu, jo ai që vjen nga jashtë. Por këtë s’e kanë kuptuar.
-Mosmbështetja e grupimeve të artistëve si për ekspozita apo projekte të tjera nga ministria si ndikon për ju?
Duhet t’i thonë faleminderit egoizmit idiot të disa personave si puna ime dhe kolegeve të mi, që merremi me këta njerëz, sepse ata do të vijojnë po këtë linjë me ne derisa brezi ynë të lodhet. Por do të vijë një moment, që ata më pas nuk e dinë se çfarë do të bëjnë. Por këtu tek ne çdo gjë ka marrë fund. Në Ministri të Kulturës nuk kanë asnjë lloj predispozite, asnjë lloj dëshire për të ardhur dhe të japin ndihmë në minimumin e lëvizjeve artistike. E kam thënë dhe më parë atë që ka bërë një njeri si Fatmir Toçi, i cili ka bërë mbi 40 koloni me artistët, një ministri e tërë ama nuk denjon të ndihmojë një ekspozitë dhe as të marrë pjesë në inaugurim. Ja vlerësimi që ka ministria për ne. Të paktën për të justifikuar dhe rrogën e tyre, që marrin në atë institucion duhet të vinin në ekspozita. E kam thënë dhe vijoj ta them, asnjë nuk do t’ia dijë. Pse deri më sot Ministria e Kulturës përveç një takimi që pretendohet se bëri për Onufrin nuk thërret artistët? Pse nuk zhvillohet një takim dhe të diskutohet për problemet tona?
-Për ju çfarë do të zgjidhte një takim i tillë, sepse ka dhe të tjerë artistë që e pohojnë?
Të bëhet dhe të flasim për problemet. Pse bëhet çdo gjë për artin në hije? Madje këtë gjë s’e kanë parë as ata që kanë qenë para ministres Kumbaro dhe po vijon njëlloj situata, madje as pas Kumbaros nuk do bëhet gjë. Asnjëherë nuk do të ketë buxhet për GKA, për fondin e veprave, ka vite që nuk blen galeria vepra, sepse këta njerëz që drejtojnë, as duan t’ia dinë se çfarë është fondi i veprave të artit shqiptar. Nëse Shqipëria mund të krenohet sot në botë, këtë mund ta bëjë vetëm me artin, por kush po pyet te ne. Në Ministri të Kulturës vetëm vegjetojnë. Kemi një Ministri Kulture vegjetative që vetëm vegjetojnë, njerëz që nuk bëjnë gjë. Dua të di një gjë që kanë bërë ata njerëz atje për artin figurativ. Unë kam punuar dikur si restaurator dhe në Institutin e Monumenteve të Kulturës, më vjen keq që sot e shikoj si një institut që nuk ekziston më.
-Pse pohoni nuk ekziston?
Instituti i Monumenteve të Kulturës është inekzistent. Edhe një restaurim që u bë i mirë, ishte nga mjeshtri Mustafa Arapi, që dikur ka qenë dhe shef sektori, por se deshën atëherë, dhe sot kur e shikojnë se si punon i thonë bravo. Ama sot se kur e patën aty në IMK se vlerësuan si duhet. Çfarë plani pune kanë sot në IMK, sa ikona restaurohen në vit?
-Nga IMK lajmërohet, që restaurohen ikona…
Në IMK ka mungesë specialistësh. A ka një emër sot IMK, dhe është në gjendje të bëjë projektin e një restaurimi kishe si duhet. Gjykoj që nuk kanë. Edhe ajo punë që nëse pohohet se bën IMK, është shumë e paktë, ka shumë mangësi. Në sistemin e mëparshëm ishte Instituti i Monumenteve të Kulturës me punonjës, me brigada ishin, sot nuk ka më si dikur. Në ministri ka vetëm rrogtarë dhe asgjë nuk bëhet.
Intervistoi: Julia Vrapi