8 Prill 2025

Bashkëkryetari i koalicionit “Nisma-Shqipëria bëhet”, Adriatik Lapaj, ndodhet sot në Grabian ku po zhvillon një takim me qytetarët në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit.

Lapaj theksoi kohën e vështirë në të cilën po jetojmë, ndërsa u shpreh se ndërkohë që bota krijon koloni në mars, ende shqiptarët nuk janë të lirë të thonë fjalën e tyre.

Në lidhje programin e koalicionit, Lapaj u shpreh se një nga prioritetet është bujqësia, blegtoria dhe mbështetja e fermerëve.

Sipas tij, në rast se vijohet me të njëjtën klasë politike edhe pas zgjedhjeve, 12 maji do të jetë një ditë shumë e keqe pasi 500 mijë shqiptarë do të ikin nga vendi.

“Njerëzit rrinë të strukur e në cepa për shkak të një sistemi që e ka detyruar të jenë të tillë. Jetojmë në 2025 në një kohë kur bota po shkon në mars e po ndërton koloni në hënë,. Në Shqipërinë tonë ende njerëzit kanë frikë të thonë mendimin e tyre. Jemi këtu në Grabian e po shkojmë në çdo shtat që të tregojmë një vizion e model të ri.

Duhet të keni parasysh se 12 maji, në rast se do të vijojë kjo klasë politike do të jetë në rastin më të mirë si sot, dhe në rastin më të keq do të ikin edhe 500 mijë të tjerë nga Shqipëria.

A jeni të lumtur me jetën që bëni, a merrni subvencione, pagesa për bujqësinë, e merrni ilaçe cilësore, kujdes shëndetësor, po pensionet i keni të larta? Po atëherë për çfarë duhet të rrini me këta? Ndaj 12 maji është e tmerrshme nëse vijoni me këta sepse do të marrin mesazhin që edhe pse ju vodhën e tallën sërish i votuat. Do t’u shtypin edhe më shumë se pse ju sërish i votuat.

Jemi si një shtëpi që nëse babai vjedh shtëpinë për të luajtur kumar e për të marrë makina të shtrenjta me kredi, ajo familje nuk mund të pasurohet. Një familje që vidhet nga kryefamiljari nuk është një familje e mirë. Kështu edhe shteti. Kur vidhet shteti, vidheni ju”, tha ai.

BalkanWeb