Aferat korruptive çojnë dy deputetë në SPAK, prokurorët specialë i marrin në pyetje …
9 Tetor 2024
Prokuroria e Posaçme (SPAK) po mban në ankth pushtetarë shumë të lartë. Një numër i madh politikanësh, funksionarësh apo ish zyrtarësh, kryesisht të niveleve të larta të pushtetit qendror dhe atij lokal, vazhdojnë të kapërcejnë pragun e godinës së SPAK-ut në Tiranë, prej nga jo të gjithë po dalin prej aty. Dje radhën për t’u pyetur e kishte socialisti Jurgis Çyrbja dhe deputeti demokrat Isuf Çela.
Çyrbja pyetet për 5 orë
Deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, ku qëndroi dhe u mor në pyetje për gati 5 orë me radhë nga oficerët. Pas daljes nga godina e SPAK-ut, rreth orës 15:00, Çyrbja nuk ka dhënë prononcim për mediat, duke thënë vetëm: “Nuk kam koment” dhe “Nuk jam marre i pandehur”, duke u larguar. Burime bëjnë me dije ligjvënësi socialist u pyet për një kallëzim të Edi Palokës në zgjedhjet e vitit 2021. Paloka e akuzonte për shpërdorim detyre, në kohën kur drejtonte Hipotekën e Durrësit, pa e marrë ende mandatin e ligjvënësit. Në atë kohë drejtues politik i qarkut Durrës, Edi Paloka, ka çuar në SPAK deputetin aktual për “shpërdorim detyre”, për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm, duke realizuar kështu mbivendosje prone.
Isuf Çela paraqitet në SPAK për 90 minuta
Edhe deputeti demokrat, Isuf Çela, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, ku është marrë në pyetje apo ka dhënë shpjegime për gati 90 minuta. Pas daljes nga godina rreth orës 11:30, ligjvënësi i PD-së nuk bëri asnjë koment për mediat, duke u larguar. “Nuk kam asnjë koment”, i tha ai gazetarëve të pranishëm dhe më tej s’pranoi të flasë rreth pyetjeve të drejtuara. Mësohet se emri i tij është përmendur tek bisedat e përgjuara të “Sky ECC” në lidhje me një çështje si i afërmi i një eksperti IT që kishte refuzuar të ndërhynte në një short elektronik gjyqësor. Bëhet fjalë për dosjen “Toyota Yaris”, por SPAK nuk ka dhënë konfirmim zyrtar nëse Çela u mor në pyetje për këtë dhe nëse ka sqaruar pozicionin e tij në çështje. Kujtojmë që pak ditë më parë Isuf Çela, së bashku me 22 deputetë të tjerë, u kallëzuan në Prokurorinë e Posaçme nga Policia më 1 Tetor, për djegien e karrigeve në shkallët e Kuvendit një javë më parë.
Ai është përjashtuar me 40 ditë nga Komisioni i Etikës në Kuvend, bashkë me deputetët e tjerë, ku u dhanë më 2 Tetor masa të ndryshme disiplinore. Kujtojmë se disa nga emrat që janë thirrur dhe po hetohen nga SPAK janë Olta Xhaçka, presidenti i PL Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Sali Berisha, djali i tij Shkëlzen Berisha, ish-ministri demokrat Aldo Bumçi, Petrit Vasili, Vangjel Tavo, Frida Krifca, Damian Gjiknuri, Fatmir Mediu, Ilir Beqaj, Ogerta Manastirliu, Jamarbër Malltezi, Erion Veliaj, Belinda Balluku, Engjell Agaçi, Flamur Noka, Luan Baçi, Elona Guri, Endrit Braimllari, Saimir Tahiri, oligarkë si Samir Mane, si edhe zyrtarë të përfshirë te afera e pronave në ushtri duke nisur nga ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bardhyl Kollçaku, ish-shef shtabi i ushtrisë shqiptare Jeronim Bazo, gjenerali Ilir Xhebexhia, kundëradmiral Adnan Agastra, Altin Kurti, Ilir Pujo, Asllan Dogjani, kryebashkiakë, etj.