29 Prill 2025
Vetëm gjatë vitit 2023 janë regjistruar 120 raste me tumor në mëlçi, një shifër në rritje krahasuar me vitet e mëparshme.

Produktet e bulmetit, veçanërisht qumështi, po konsideron gjithnjë e më shumë si burim rreziku për shëndetin nëse nuk respektohet norma e lejuar e aflatoksinës sipas standardeve të Bashkimit Europian, normë që nuk është respektuar sipas të dhënave të fundit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pranoi në fundjavë prezencën e toksinave kancerogjene në produktet shqiptare të qumështit.

Sipas një njoftimi, AKU gjeti qumësht me aflatoksinë në qytetin e Vlorës. Aflatoksina M1 është një toksinë që kalon në qumështin e kafshëve kur ato ushqehen me foragjere të kontaminuara dhe njihet për potencialin e saj kancerogjen.

Gjatë një fushate onitorimi të zhvilluar nga janari deri në prill 2025, AKU analizoi 26 mostra të ndryshme qumështi dhe nënproduktesh të tij në këtë qytet. Rezultatet treguan se 10 nga këto mostra, pra afro 40%, përmbanin nivele të aflatoksinës M1 mbi kufijtë e lejuar nga standardet e sigurisë ushqimore, ku norma e lejuar e është vetëm 0.050 µg/kg (ose 50 ng/kg).

Mjekët shqiptarë kanë ngritur alarmin mbi dëmet serioze që kjo substancë toksike mund të shkaktojë në organizëm, me pasoja të parikuperueshme, veçanërisht për mëlçinë.

“Aflatoksina është një nga toksinat më të fuqishme të prodhuara nga disa lloje mykesh, dhe nëse merret në mënyrë të vazhdueshme, shkakton dëmtime të mëdha në mëlçi, përfshirë hepatotoksicitet dhe hepatokarcinomë (tumor në mëlçi),” deklaron mjeku patolog Gerald Kola për Gazetasi.al.

Shifra shqetësuese: 120 raste me tumor në mëlçi në vitin 2023

Vetëm gjatë vitit 2023 janë regjistruar 120 raste me tumor në mëlçi, një shifër në rritje krahasuar me vitet e mëparshme. Aflatoksina B1 konsiderohet si një kancerogjen shumë i fuqishëm, sidomos te individët që vuajnë edhe nga Bepatiti B (HBV).

Sipas doktor Kolës, kjo toksinë shkakton gjithashtu dobësim të sistemit imunitar (imunosupresion) dhe dëmtime në sistemin tretës, ndërsa tek fëmijët efekti është edhe më i thellë.

Rreziqet për fëmijët dhe zhvillimin e tyre

Nisur nga tradita e përdorimit të qumështit në familjet shqiptare, shumë fëmijë konsumojnë produkte bulmeti në baza ditore. Por sipas ekspertëve, aflatoksina mbi normën e lejuar mund të shkaktojë probleme serioze në zhvillim, si: Rritje e vonuar, ulje e peshës trupore, çrregullime zhvillimore dhe toksicitet akut në raste të ekspozimit të lartë.

Bulmeti nën lupën e kritikës: Toksina, hormone dhe antibiotikë

Përveç aflatoksinës, mjekët paralajmërojnë edhe për rreziqe të tjera të lidhura me produktet e bulmetit, si: Intoleranca ndaj laktozës, rritje e inflamacionit, shtim i mukozës në trup, rrezik i shtuar për sëmundje kardiovaskulare dhe ndikim në balancën hormonale për shkak të përdorimit të hormoneve dhe antibiotikëve tek kafshët.

Pse shqiptarët nuk heqin dorë nga bulmeti?

Sipas mjekëve të shëndetit publik, shmangia e bulmetit mbetet sfiduese për disa arsye, siç janë traditat e forta ushqimore, mungesa e edukimit ushqimor, aksesi dhe çmimi i ulët dhe perceptimi i rrënjosur se bulmeti është i shëndetshëm.