Agim Janina: – Për studiot e artistëve të njohur ka një mospërfillje nga shteti, të marrin statusin monument kulture
Agim Janina: – Për studiot e artistëve të njohur ka një mospërfillje nga shteti, të marrin statusin monument kulture
NGA JULIA VRAPI
29 DHJETOR 2021
“… Kështu u tjetërsua në kishë studio model e Odhise Paskalit, një krenari kombëtare. …”
Agim Janina: Për studiot e artistëve të njohur ka një
Studiot e artistëve të njohur nuk duhet të jenë në mëshirë të fatit, por të kthehen në vende të vizitueshme. Kështu shprehet studiuesi i artit Agim Janina, i cili thotë se kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, që sipas tij deri tani nuk ka treguar sa duhet vëmendje. “Deri tani pak restaurime janë bërë. Ministria e Kulturës ka bërë vetëm studion e Sali Shijakut që është monument kulture dhe shumë mirë, por dhe studiot e tjera të artistëve të njohur duhet të marrin statusin monument kulture për mua, të jenë studio muze. Kjo është lënë si në heshtje, kjo është fatkeqësi, sepse sa janë gjallë nuk kujtohen për artistët dhe kur vdesin i bëjnë temenara të mëdha. Për studiot e artistëve të njohur është një mospërfillje e tmerrshme nga shteti”, thotë studiuesi i artit Agim Janina, kur jemi në muajin fundit të këtij viti për këtë problem. Në reagimin e tij, studiuesi Janina thotë më tej se sistemi para ‘90 shumë artistëve që i shërbenin dhe me temat që trajtonin iu dha studio falas. “Janë një sërë artistësh që kanë marrë studio veç çmimeve që i bëri artistë të merituar dhe artistë të popullit. Pas ‘90 shumë nga këto studio u tjetërsuan, pra u nda nga jeta artisti dhe familja e ktheu në shtëpi banimi ose e shiti. Por ky fenomen në demokraci nuk funksionon, që shteti ti fali studio artistëve”, thotë Janina.
Studiot që u shkatërruan
Në reagimin e tij studiuesi i artit Agim Janina thotë se studiot e Abdurrahim Buzës, Guri Madhit, Ksenofon Dilo, Zef Shoshit, apo dhe studiot e Mumtaz Dhramit, Hektor Dules, etj, që i kanë të marrë nga shteti i asaj kohe mund të kthehen në muze siç është muzeu i Vagjush Mios. Studiuesi Agim Janina thotë se studiot e dhëna nga shteti janë një vlerë e shtuar e papërsëritshme. “Ato janë qendra muzeale dhe pronë e kulturës kombëtare dhe ky ishte qëllimi i tyre, që të mbeteshin të tilla. Përvoja është kriminale. Pas ’90 shumë prej tyre u shkatërruan, u vodhën, u tjetërsuan, u shitën dhe sot kulturës sonë iu hoqën vlera të papërsëritshme. Kështu u tjetërsua në kishë studio model e Odhise Paskalit, një krenari kombëtare. Disa nga veprat e tij u thyen, u vodhën dhe u zhdukën. I njëjti fenomen ndodhi me studion muze të Vagjush Mios në Korçë, ku i grabitën vepra”, thotë Janina. Po ashtu ai tregon se iu mor studio Janaq Paços dhe veprat e tij sot janë të shpërndara nëpër magazina të ndryshme. Veprat e mjeshtrit të gurit Llazar Nikolla vijon Janina u nxorën nga studio në rrugë në mëshirë të fatit dhe shumë u shkatërruan, por sipas tij dhe në qytete të tjera vijuan problemet. “Studios së Maksim Bushit i doli pronari dhe iu prishën veprat, por të njëjtat probleme vijuan te studiot e piktorëve vlonjate apo dhe në Shkodër”, thotë Janina. Problem për studiuesin e artit është dhe fakti, që ka punime në skulpturë dhe rrinë mbyllur të paekspozuara. Sipas Janinës nuk duhet të rrinë mbyllur. “Askush nuk kujtohet për ti vënë në hapësira të ndryshme. Shumë nga veprat e skulptorëve të merren nga studiot dhe të vendosen diku, mos të rrinë të vdekura, sepse duke mbetur në magazina janë të vdekura dhe nuk i shikon njeri, mund të dëmtohen, vidhen, humbin”, thotë ai. Për studiuesin Agim Janina problem është edhe fakti që nëse ka artistë të rëndësishëm me aktivitetin e tyre, që kanë ardhur nga rrethet në Tiranë dhe nuk kanë dot mundësi të punojnë, shteti duhet të mendojë që të krijojë hapësira në ndërtesat që ndërtohen për aktivitetin e tyre.
Gazeta Sot