Agim Kajmaku në arrati, por merr tendera nga Ministria e Brendshme

20/01/2020

mapo.al

Ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kamjaku është në kërkim nga policia prej disa muajsh, megjithatë biznesi i tij familjar vijon të funksionojë normalisht.

Madje ky biznes fiton tenderë të prokuruara nga i njëjti institucion që supozohet se po kërkon ish-pronarin e tij.

Në buletinin e fundit të Agjencisë së Prokurorimeve Publike rezulton se kompania “Kajmaku sh.p.k” të ketë fituar një tender me vlerë pak më shumë se 5 milion lekë për mirëmbajtjen e luleve dhe hapësirave të gjelbërta në territorin e QSUT.

Siç pasqyrohet edhe në ekstraktin e QKB-së, Kompania “Kajmaku sh.p.k” me nipt “K83725201G” është në pronësi të Merita Kajmakut, bashkëshortes së ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku.

Ndërkohë, tenderi në fjalë është prokuroruar nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, një institucion në varësi të Ministrisë së Brendshme, ashtu siç është edhe Policia e Shtetit që ndjek Agim Kajmakun.

Ky i fundit ka hequr dorë nga biznesi duke ia kaluar bashkëshortes së tij të gjitha aksionet në 15 korrik të vitit të shkuar.