Agim Musabelliu arriti të japë dramën e një prej shkrimtareve më të mëdha të shekullit XX… –
Agim Musabelliu arriti të japë dramën e një prej shkrimtareve më të mëdha të shekullit XX… –
Nga: Luan Rama. –
E habitshme kur në morinë e rrjedhës njerëzore të ndalosh një çast i tërhequr nga një objekt, imazh, fytyrë apo shenjë, që çuditërisht të stopon, të detyron të qëndrosh ballë saj, ta shohësh një çast, të harrohesh pas saj dhe të shkosh pastaj duke e parë po atë imazh, jo realen, por imazhin e dyzuar, atë që syri sapo ka regjistruar duke e fiksuar në «dhomat» e kujtesës.
Semiologji mistike! Kështu kishte ndodhur me mikun tim piktor, kur duke kaluar në një nga rrugët e qytetit, në një vitrinë, fotografia e një libri e grishi menjëherë me gjuhën e heshtjes, me ata sy të trishtë dhe ku ndoshta ai mendoi: «Ja një grua tepër e trishtë! Më e trishtë se unë!… Cila është kjo grua? Përse këtu? Në një libër të saj?… Ishte Virginia Wolf. Diku kishte dëgjuar për të. Shkrimtarja angleze e vetëvrarë në vitin 1941. Ai trisht dukej se e kishte çuar vërtet drejt vetëvrasjes… Dhe piktori ulur në stolin e atelierit të tij, atje mes atij dekori plot portrete, ngjyra, peizazhe, portretesh të lëna përgjysëm, rishihte përsëri të njëjtin portret.
«O Zot, ç’trishtim i madh në sytë e kësaj shkrimtareje! – kishte pëshpëritur sërrish ai dhe ajo fytyrë e ngjizur në xhelatinën e syrit i rishfaqej sërish. Kishte një dëshirë të çuditëshme për të mos u larguar. Ndoshta jo ajo, mendoi ai, por unë! Vallë kërkon të më flasë? Çfarë? Ajo ka vdekur gati 70 vjet më parë… Pastaj si mund të flas me të? Dhe ai mori lapsin. Nuk ishte dora e tij. Kushedi ç’frymë mistike e drejtonte atë dorë drejt atij portreti. Dhe tiparet e saj nisën të ravijëzohen shpejt, me nxitim, nga frika se mos ai imazh i ikte, i zhdukej dhe nuk do ta kapte më. Por ajo qëndronte aty, me një dëshirë të çuditshme, pas vdekjes! Sy të futur, të vrarë, të lodhur nga jeta dhe mungesa e dashurisë. Ç’portret! – mendoi ai.
Tragjedia e ravijëzuar brënda një portreti, shkruar mbi të, me lapës, pa ngjyra, pa artifice, thjesht, dëshpërimi i madh! Mjafton dhe një portret për të thënë se cili je. Një portret si në antikat greke por me një frymë moderne. Ai skiconte ballin e lartë, mjekrën e saj të rregullt, gushën e tërhequr kushedi nga ç’dhimbje, apo një klithje e mbetur në honet e saj pa mundur të dalë! Piktori po përfundonte portretin e tij ndërsa unë shikoja atë grua pothuaj 60 vjeçare që mbushte xhepat e saj me gurë, në fshatin e saj Rodmell, për të ecur drejt lumit me një hap të ngadaltë, të vendosur, funebër, për të shkelur mbi ujrat e Ouse dhe për të kërkuar kushedi ç’prehje në ato ujra të thella.
Vallë kërkonte Orlando-n?… Apo një dhomë për veten e saj, siç shkruante në veprën «A Room of One’s Own), një dhomë të paqtë për të shkruar një vepër romaneske, çka ajo nuk mundi ta shkruante përsëri… këtë do ta shkruanin të tjerët për të. Nga një imazh i kapur shpejt në rrugë, piktori Agim Musabelliu arriti të japë dramën e një prej shkrimtareve më të mëdha të shekullit XX… Portretin e një gruaje që nuk arriti ta gëzojë shekullin dhe lavdinë e saj! Luan .Rama