Agim Rada: – “Art në hapësira publike” një konkurs i dështuar, artit tonë me llamarinat i kanë rënë shkurt, por duhen skulptorë jo teneqexhi
26 Qershor 2023
Skulptori Agim Rada thotë se në Tiranë ka vepra që duhet të hiqen. Sipas tij më mirë të mos jenë se sa të ketë shëmtira. Në intervistën për gazetën “SOT” skulptori Agim Rada thotë se këtë e ka shprehur dhe më parë dhe është një vendim që duhet ta marrin institucionet. Skulptori Agim Rada shprehet me kritika dhe për konkursin ndërkombëtar “Art në hapësira publike” që pati qëllimin për vendosjen e veprave të artit në vende të ndryshme. Rada shprehet se ishte një konkurs i dështuar dhe thotë se nuk sheh një vepër që ta gëzojë.
Skulptori Agim Rada flet dhe për punët e tij gjatë kësaj kohe, ku një tjetër vepër e tij me Skënderbeun do të vendoset në Budapest. Skulptori Agim Rada është i njohur me veprat e tij ndër vite. Punimet i tij përfshijnë statujat, skalitur në bronz të figurave të tilla si Marin Barleti, Gjergj Elez Alia, Onufri, Petro Marko, etj. Një aktivitet krijues që ka nisur vite më parë, ku ai ka vepra te muzeu i Krujës, në Berat, Dhërmi, Ersekë, Shkodër, etj. Më herët në aktivitetin e tij skulptori Agim Rada ka treguar se krijimtaria e tij nuk ka qenë kurrë e politizuar. Ai ka shprehur se figurat kanë qenë përherë figura të ndritura të kombit. Busti i Skënderbeut vepër e artistit Agim Rada do t’ia lërë radhën veprave të tjera, që do të realizojë në vijim të aktivitetit të tij.
-Mozaiku “Shqipëria” në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar prej vitesh përballej me probleme për gjendjen e tij. Pak kohë më parë u bë dhe inaugurimi i mozaikut të restauruar të muzeut, por kjo riktheu debatin lidhur me largimin e simboleve të periudhës komuniste nga veprat artistike. Ju më parë jeni shprehur me kritika për veprën, çfarë mund të na thoni?
Për mua mozaiku te fasada e Muzeut Historik Kombëtar duhet të hiqej, sepse ajo vepër është simbol i propagandës komuniste dhe i gënjeshtrave absurde. Ajo vepër nuk është Shqipëria. Është si ata filmat shqiptarë dikur, ku çdo gjë ishte e stisur, e porositur.
Dhe vazhdojmë ne të mbajmë akoma këto. Unë e kuptoj qartë që një dorë e fshehtë që nuk ka rëndësi çfarë krahu ka një marrëveshje, përderisa nuk kanë heq titujt si “Artist i merituar”, etj, po ato që u shërbyen Enverit, po ato që bënë katrahurën në art, që burgosën artistët e vërtetë. Kjo më duket një debat kot, bajat, pa lidhje fare. Ato simbolet duhet të zhduken.
E mbaj unë përgjegjësinë për çfarë them. Mozaiku për mua duhet të hiqet nga fasada dhe aty me gërma bronzi të shkruhet Muzeu Historik Shqiptar, sepse ai nuk është muzeu i 50 viteve të diktaturës. Ai fillon me ilirët dhe mbaron me këtë që sot i thuhet demokraci. Çfarë lidhje kanë ata me kazmë dhe pushkë me Pirron e Epirit? Nuk më pëlqen mozaiku. Artistikisht është i shëmtuar. Bota i ka hequr me kohë ato. Jam dakord të mbahet ndonjë mozaik nëse ka vlera artistike të paarritshme, por janë porkerira. Më vjen keq se ata që e kanë bërë janë miqtë e mi dhe këtë ia kam thënë dhe në sy. Pas 30 vitesh demokraci të diskutosh për simbolet e tmerrshme komuniste, por kjo është bastarde. Kjo të bësh lojën që gjoja këtu u bë diçka, por në fakt nuk është bërë asgjë. Artistë që i kanë shërbyer së keqes, që kanë glorifikuar Enverin dhe kanë bërë çudira akoma mbajnë titull “Artist i popullit”. Unë nuk kam pikë xhelozie, sepse dhe po të ma japin sot një titull, ia gris para syve atyre që ma japin.
-Jeni skulptor, por më parë jeni shprehur që ka vepra që duhet të hiqen. Çfarë ka ndodhur?
Duhet filluar me mozaikun. Ka horrore në Tiranë. Kemi një tjetër vepër pas 15- katëshit, që i pengon njerëzit. Ta shikoni tmerrohesh. Një katrahurë. Por ka dhe shumë vepra të tjera që i kam thënë më parë, atë turkun m’u në mes të Tiranës, etj. Për këto vepra duhet marrë një vendim.
-Kush duhet ta marrë vendimin?
Një vendim që duhet ta marrë Ministria e Kulturës në bashkëpunim me qeverinë. Unë kam bërë dhe listën se kush duhet të hiqet. Është turp, që janë disa vepra ende. Më mirë të mos jenë në Tiranë. Më mirë Tirana mos t’i ketë ato vepra se sa të ketë shëmtira.
-Konkursi ndërkombëtar “Art në hapësira publike” pati qëllimin për vendosjen e 18 veprave të artit, në vende të ndryshme. Konkursi u hap vjet, duke sjellë në fund të tij dhe disa fitues. Si skulptor si e patë këtë konkurs?
Konkursi ndërkombëtar “Art në hapësira publike” për mendimin tim dështoi.
-Pse sipas jush?
Ndodh një fenomen. Kur t’i merr llamarina, teneqe, i saldon, i lyen se kjo gjoja qenka arti modern. Ajo ka rrezik që shumë shpejt të kthehet në ndotje pamore ose në sulm të romëve për skrap, sepse nuk kanë kuptim. Ato vihen nëse ke një lëndinë të gjelbër diku dhe vë disa elemente me ngjyra për ti dhënë jetë asaj, për ta gëzuar atë sipërfaqe, por jo në çdo qoshe pallati, në çdo këmbë ure, në çdo hapësirë të pakuptimtë kap e vendos. Këto konkurse bëhen vetëm për para. A ju kujtohet konkursi vite më parë që u bë për 100-vjetorin e Pavarësisë? Ju kujtohet vepra që shkoi në mos gaboj diku 400 milionë lekë të vjetra e budallallëqe të tjera. Unë dhe te ky konkurs që u bë tani nuk shoh një vepër, që të më gëzojë. Unë kam parë skulptura dekorative dhe me ngjyra dhe që i lëvizin, dhe që i fryn era, por ato janë të menduar aq bukur.
-Ju dhe në hapje të konkursit jeni shprehur se nuk do merrni pjesë?
Unë nuk kam marrë pjesë asnjëherë në konkurse. I sigurt që do fitoja, sepse kisha një projekt, por mendova mos të bëhem pjesë. Sepse më vjen turp që aftësitë e mira, dijet e mia, emrin tim ta vë në rresht me disa të paaftë. Nuk e dua këtë.
-Nëse do hapet konkursi “Art në hapësira publike” këtë vit a do konkurroni?
Jo nuk do të konkurroj. Unë bëj atë skulpturë që rrallë dinë ta bëjnë. Bëj atë skulpturë që është profesioni skulpturë. Ndryshe është profesioni skulpturë, ndryshe është llamarinisti. Këto janë teneqexhi.
-Nëse flasim për hapësirat publike dhe veprat e artit, çfarë ju shqetëson në Tiranë?
Siç ju thashë dhe më lart nganjëherë më mirë të mos bëhen se sa të nxitohen. Se ajo që duhet bërë duhet të jetë tamam. E keni vënë re se si thonë njerëzit: ku takohemi? Te “Skënderbeu”. Ku takohemi? Te “Vojo Kushi”. Bëhen pika reference. Në rast se këto pika reference përfaqësohen me një karikaturë atje, a mund ti rezistojë ajo kohërave? E kështu shumë vepra të tjera. Artit tonë me llamarinat i kanë rënë shkurt, por e thashë o skulptor ose teneqexhi. Duhet ta vendosë njeriu. Kjo e teneqexhiut i bie shumë për shtat njerëzve të paaftë, sepse i bien shkurt.
-Ju keni kritika për konkursin, por herë pas here vetë artistët janë shprehur se mungesa e konkurseve është problem. Çfarë mund të na thoni?
Më mirë që nuk ka, sepse aty fillojnë pazaret. Më ka ndodhur me një vepër të Fan Nolit që të gjithë thanë: ky është më i miri. Kur doli një tjetër. Por qysh atëherë u bë mbi njëzet vjet, që unë kam vendosur që nuk marr më pjesë, sepse këto të fyejnë. Ka superprodhim skulptorësh. Mbreti Zog kishte vetëm skulptorë, Janaq Paçon dhe Odhise Paskalin. Por sot çfarë mund të dalin? Njoh që nuk dinë as të bëjnë portret, që ne që në lice e kishim detyrë.
-Artistët herë pas here shprehen se nuk stimulohen në krijimtarinë e tyre?
Shteti nuk është institucion bamirës. Shteti është: je i zoti. Bëj një monument. Siç bëra unë Sali Butkën që mbetën të gjithë të mrekulluar. Unë u pagova dhe me ato jetoj. Por kur nuk di ta bësh dhe i kërkon shtetit para, shteti nuk është strehë bamirësish. Në këtë sistem që e deshëm të gjithë, edhe në Europë s’ka shtet që jep 5 lekë për krijimtari. Nëse ti je i zoti ai ta blen veprën. Por ti duhet të dalësh me atë vepër dhe të kesh derdhur djersë e mund pa fund. Në asnjë vend në botë nuk rrohet me pasionin e hobin tënd. E ke hobi pikturën, pikturo. Të doli ndonjë gjë e bukur, ta blen një mik, shok, një i huaj. Të gjithë artistët e njohur janë njohur në kohën e vet, edhe Van Gogh në kohën e vet është njohur.
-Në vijim të aktivitetit tuaj këtë kohë ju keni punuar për një bust të Skënderbeut. Kur do të vendoset?
E kam bërë veprën dhe këtë muaj do ta çoj. Pas bustit të heroit tonë kombëtar, Gjergji Kastrioti Skënderbeu në vitin 2021, që u vendos në parkun qëndror të Budapestit, një tjetër vepër e imja do të vendoset po atje. Por këtë herë bëra Skënderbeun tim, që ka dalë një mrekulli. Ka dalë një vepër e bukur. Por unë kam dhe vepra të tjera që po punoj.
-Si po vijon puna me veprat e tjera?
Unë po bëj Fishtën. Por është dhe një tjetër projekt i madh te kodra mbi liqenin e thatë, që do të bëhet tempulli i Nënë Terezës. Për Nënë Terezën është firmosur dhe me Vatikanin dhe do të filloj punën. Unë jam nisur nga emri i saj që e ka emrin Gonxhe dhe po bëj një gonxhe të madhe dhe ato tre pistilat janë ato strishat blu, që do të dalin 30 metra lart. Do të duket dhe andej nga Tirana dhe nga Petrela.
-Në aktivitetin tuaj që ka nisur dekada më parë keni skalitur në bronz figura të ndryshme, ku veprat tuaja nuk mungojnë dhe nëpër muze. Janë disa dekada nga fillimet tuaja në art, çfarë mund të na thoni?
Unë vazhdoj punën time si skulptor. Vazhdoj te jem ai Agim që thoja që në klasë të pestë, që do bëhem skulptor, do bëhem i mirë. Ajo ëndërr më mban gjallë akoma. Unë ndër vite kam bërë shumë vepra dhe tani siç ju tregova kam bustin e Skënderbeut, që është mbaruar dhe do vihet në Budapest.
-Me Qendrën Ndërkombëtare të Veprave të Artit ku ju jeni drejtues, si po vijon aktiviteti?
Në vijojmë aktivitetin, mëremi me restaurime veprash, etj. Kemi dhe porosi shtetërore për vepra.
Intervistoi: Julia Vrapi
Gazeta Sot