13 Shtator 2024

Prokuroria e Posaçme raportohet se ka nisur një hetim të gjerë brenda radhëve të agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, për të zbuluar se cilët janë funksionarët që kanë nxjerr informacionet e agjencive europiane për SPAK, për bisedat e grupeve kriminale në “SKY”.  

Kështu ka deklaruar Ervin Karamuço në emisionin “Top Story”, duke ju referuar dhe atyre që u deklaruan më 12 shtator në seancën plenare në Kuvend, ku Gazment Bardhi lexoi në foltore disa biseda që pretendoi se ishin të aplikacionit “SKY”.

“Disa janë të zbardhura dhe disa jo, sepse po qarkullojnë. Dhe ky është shqetësimi më i madh, sepse autoritetet e huaja nuk na i sjellin për t’i çuar në Parlament, por për t’i hetuar SPAK e për të marrë nën përgjegjësi penale policë e funksionarë të tjerë.

Ajo që po ndodh tani është që dikush nga funksionarët e SPAK është duke i nxjerr këto, qëllimisht ose jo unë nuk e di, por është duke bërë një gabim shumë të madh. Jo vetëm për të intimiduar funksionarët publikë dhe ata të Policisë, por për të hapur një sagë përplasjesh bandash në vazhdim.

Informacioni është i pakonfirmuar, është sekret hetimor dhe personat që e kanë nxjerr përgjigjen penalisht, sepse ka dhe një urdhërim të gjykatës në fund të muajit korrik, në të cilin thuhet se asnjë dokument nuk duhet të dali në media, për shkak të gjendjes sensitive të informacionit”, u shpreh eksperti.

I pyetur nga moderatorja Grida Duma nëse ishte i bindur se këto biseda kanë dalë nga SPAK, Ervin Karamuço e pohoi këtë dhe u shpreh se tashmë brenda strukturave të BKH-së ka nisur një hetim i gjerë.

“Ka dalë nga SPAK sepse edhe policia nuk e ka, sepse kjo deri diku implikonte Policinë dhe nuk mund ta kishte Policia. Do të jetë pjesë e një hetimi që po ndodh brenda strukturave të SPAK, për Byronë Kombëtare të Hetimit”, përmbylli ai.

Gazeta Dita