Agron Gjekmarkaj: – Ftoj Bashën të kthehet tek partia që e ka rritur politikisht
6 Mars 2024
Nënkryetari i PD së Rithemelimit, Agron Gjekmarkaj i ka bërë ftesë Lulzim Bashës që të bashkohet me partinë që e ka rritur politikisht. Në një intervistë për gazetarin e News24, Osman Stafa, Gjekmarkaj u shpreh se Basha nuk duhet të keqpërdoret për diversionin qeveritar.
“Ne jemi bashkuar në diversitet dhe diversiteti qëndron tek mendimet e ndryshme. Në kuadër të këtij diversiteti, bëj ftesën dhe thirrjen që të gjithë kolegët që janë tek grupi Basha, vete z. Basha, të vijnë dhe të mos ta mbajnë ligjërimin tek përçarjet, e cila është zvogëluar, pasi PD është bashkuar, por duke mbajtur peng, aq vlerë se ka vula dhe firma, mendoj se duhet të vije dhe të gjej vendin e vet këtu”, tha Agron Gjekmarkaj.
Gjekmarkaj u pyet nga gazetari sesi ai sot është nënkryetar i Rithemelimit të PD-së në një kohë kur ka qenë kritik me Berishën e Bashën. Përgjigja e nënkryetarit të Kuvendit ishte se ai e shikon këtë si një hap të rëndësishëm në drejtim të mendimit kritik në partitë politike ku ai aderon.
Intervista e Plotë:
Osman Stafa: Grupi Bardhi bashkohet me Rithemelimin, por po të kthehemi pas në kohë, shohim se nga PD e bashkuar e 2021-it, juve ju mungon vetëm Lulzim Basha. A mendoni se kështu mundeni ta mundni Edi Ramën?
Agron Gjekmarkaj: Përfitoj nga rasti, meqenëse ju nominuat Lulzim Bashën, ti bëj ftesë edhe atij të kthehet tek partia që e ka rritur politikisht, që i ka dhënë aq shumë dhe të mos keqpërdoret për diversionin qeveritar ndaj opozitës.
Osman Stafa: Po nëse ndaj kësaj ideje është kundër Sali Berisha?
Agron Gjekmarkaj: Ne jemi bashkuar në diversitet dhe diversiteti qëndron tek mendimet e ndryshme. Në kuadër të këtij diversiteti, bëj ftesën dhe thirrjen që të gjithë kolegët që janë tek grupi Basha, vete z. Basha, të vijnë dhe të mos ta mbajnë ligjërimin tek përçarjet, e cila është zvogëluar, pasi PD është bashkuar, por duke mbajtur peng, aq vlerë se ka vula dhe firma, mendoj se duhet të vije dhe të gjej vendin e vet këtu.
Osman Stafa: Keni qenë shpeshherë kritik ndaj Bashës, por kritik edhe ndaj Berishës. Çfarë ndodhi që ju jeni sot nënkryetar i Rithemelimit të PD-së?
Agron Gjekmarkaj: Praninë time e shoh si një akt modernizimi të të menduarit të Partisë Demokratike, që i jep status mendimit kritik brenda lidershipit të saj. Kjo është diçka që ka munguar në partitë politike shqiptare dhe PD edhe njëherë tregon që mund të jetë novative në skenën politike të Shqipërisë.