28 Gusht 2024

Çështja e eksportit të një sasie mbetjesh industriale nga porti i Durrësit, që dyshohet se përmbajnë lëndë të dëmshme helmuese, është kthyer në një histori dyshimesh të shumta, me shumë të panjohura.

Një hetim i dyfishtë është duke u kryer nga prokuroria e Durrësit në Shqipëri dhe nga zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel, mbi 100 kontejnerë të bllokuar së fundmi në Singapor, me origjinë nga porti i Durrësit.

Organizata jo qeveritare amerikane “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” i tha “Zërit të Amerikës”, se ajo është e bindur se porti i Durrësit, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera më parë është shfrytëzuar për të nxjerrë nga Shqipëria, rajoni dhe me gjasë edhe nga vende të tjera evropiane, mbetje të rrezikshme helmuese drejt disa vendeve aziatike.

Nga ana tjetër, Qeveria ka mohuar përgjegjësinë për dy anijet e ngarkuara me 816 ton mbetje të rrezikshme që u refuzuan nga Tajlanda dhe që janë duke u kthyer në Durrës.

Në fillim u tha se Ministria e Mjedisit nuk kishte dijeni për ngarkesën, më pas përgjegjësia për trafikun e mbetjeve iu la kompanisë së përpunimit të hekurave Kurum.

Por kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar sërish këtë të martë pas publikimit të një dokumenti pak ditë më parë që tregonte të kundërtën, ku në licensën e kompanisë “Sokolaj sh.p.k” specifikohet tekstualisht se kjo kompani transporton mbetje të rrezikshme.

Dokumenti mban firmën e Ministres së Mjedisit Mirela Kumbaro dhe lidhur me këtë deputeti Agron Shehaj në një intervistë për “Ora News”  deklaroi se heshtja e qeverisë lidhur me ngjarjen e bën atë edhe më alarmante.

“Kjo që raporton sot Zëri i Amerikës është absolutisht e vërtetë, sepse dyshohet se jo vetëm kemi të bëjmë me një dërgesë që është kapur tashmë, por po dyshohet se dërgesat janë të shumta dhe të shpeshta.

Dhe problemi më i madh është fakti se nuk janë materiale toksike të prodhuara në Shqipëri, por ka dyshime që po trafikohen mbetje toksike të mbledhura nga vende të tjera.

Tani problemi shqetësues është se çfarë po ndodh me mbetjet toksike në Shqipëri? Si është e mundur që një ngarkesë kaq e madhe kalon të paktën një herë, por gjasat janë se kanë kaluar më shumë se një herë dhe se trafiku i mbetjeve toksike bëhet në mënyrë të vazhdueshme.

Pra, si është e mundur që askush nuk kontrollon dhe monitoron? Sepse po flasim për një subjekt “Sokolaj” të licencuar nga Ministria e Mjedisit, nuk flasim për një biznes të thjeshtë transporti mbetjesh, sepse nuk mund ta bëjë një gjë të tillë.

Kjo është shumë e rëndësishme, mungesa e informacionit dhe transparencës nga ana e qeverisë në përgjithësi në lidhje me këtë çështje që është bërë lajm botëror për të cilën sot flasin mediat më të rëndësishme, qeveria shqiptare nuk jep asnjë përgjigje. Dhe kjo e bën situatën akoma edhe më alarmante”, u shpreh ndër të tjera deputeti Agron Shehaj.