Agron Shehaj: – Kujdes! Rama është si Gadafi
8 Nentor 2023
“Ajo që në Perëndim ju shihni si një kryeministër i ndritur dhe perëndimor, këtu në Shqipëri sillet si një despot i vogël ballkanik. Dhe ai nuk ka asnjë interes të sjellë Tiranën në BE”, thotë për Il Foglio, parlamentari Agron Shehaj.
Deputeti i zgjedhur në 2021 nga sigla e PD-së dhe që pak ditë më parë njoftoi largimin nga kjo forcë politike ka folur për mediat italiane pas marrëveshjes mes Edi Ramës dhe Melonit për sjelljen e emigrantëve afrikanë drejt Shqipërisë.
“Unë kam qenë vetë emigrant në Itali. Mbërrita në vendin tuaj në vitin 1991 dhe jam dakord me çdo formë bashkëpunimi, e cila mund ta ndihmojë Italinë në menaxhimin e emigrantëve dhe për t’i garantuar të drejtat elementare cilitdo që mbërrin atje. Mbi këtë nuk kam asnjë dyshim.
Është themelore çështja e juridiksionit mbi territorin, sepse Kushtetuta garanton integritetin territorial të vendit. Si mund të hiqet dorë nga sovraniteti, qoftë edhe i një pjesë të territorit?.
Ashtu si shumë çështje të tjera, edhe kjo marrëveshje është arritur në mungesë totale të transparencës. Opinioni publik në Shqipëri, që gjithashtu ka një ndjenjë të fortë mirënjohjeje ndaj Italisë, mësoi vetëm nga media mbi këtë marrëveshje
Edi Rama ka një strategji të qartë për ta shitur veten jashtë vendit si një kryeministër modern, i moderuar, që është i gatshëm të bashkëpunojë për zgjidhjen e problemeve të shteteve të tjera. Pak e shumë siç sillej Gadafi me naftën libiane, Rama e bën këtë me çështjen e emigrantëve” tha ai.