30 Janar 2025

Agron Shehaj, kryetari i partisë “Mundësia”, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për një skandal korrupsioni të lidhur me takimet e Partisë Socialiste në diasporë. Në fjalën e tij në Kuvend, Shehaj tha se një biznesmen financoi një aktivitet të PS-së në Milano në këmbim të lejeve për ndërtimin e dy kullave dhe një hoteli në qendër të Tiranës.

Sipas Shehajt, ky është një model i qeverisjes së Ramës, ku pushteti blihet dhe shitet në këmbim të favoreve për një grusht të privilegjuarish. Ai denoncoi gjithashtu krijimin e faqeve të rreme në rrjetet sociale, të cilat sipas tij, janë përdorur për të mbledhur të dhënat e emigrantëve dhe për t’i manipuluar ata politikisht.

Shehaj e cilësoi këtë si një skemë të qëllimshme për të kapur votat e diasporës, ndërsa akuzoi qeverinë për keqpërdorimin e resurseve publike në favor të një pakice të lidhur me pushtetin.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur akuzat për korrupsion ndaj qeverisë po bëhen një temë kyçe e debatit politik në Shqipëri.

Gazeta Sot