Akademia e Shkencave boton studimin për dorëshkrimet e lashta muzikologjike të liturgjisë së krishterë -“Kodikët ekfonetikë të Shqipërisë” me autore Holta Sina Kilica-
Akademia e Shkencave boton studimin për dorëshkrimet e lashta muzikologjike të liturgjisë së krishterë
-“Kodikët ekfonetikë të Shqipërisë” me autore Holta Sina Kilica-
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka botuar studimin shkencor “Kodikët ekfonetikë të Shqipërisë” me autore Holta Sina Kilica.
Ky studim vjen si rezultat i punës hulumtuese të autores në arkivat shqiptare për dorëshkrimet e lashta muzikologjike të liturgjisë së krishterë, për të cilat nga studiuesit shqiptarë është shkruar shumë pak.
Libri hedh dritë mbi dorëshkrimet muzikologjike bizantine të Fondit 488 të Arkivit Qendror të Shtetit (AQSH).
Rëndësia e studimit të këtyre dorëshkrimeve qëndron në vlerën e tyre historike, dokumentare, por dhe kulturore e artistike, duke dëshmuar në këtë kontekst lashtësinë e shkrimit dhe këndimit psaltik që përfshin shekujt IV-XV.
“Kodikët ekfonetikë të Shqipërisë” është vetëm njëra nga pjesët e studimit të Holta Sinës-Kilicës kushtuar dorëshkrimeve muzikologjike që ruhen në rrjetin arkivor të vendit.
Ajo është e para që bën të njohur për mjedisin shkencor jo pak por 18 dorëshkrime muzikologjike bizantine të ruajtura në rrjetin arkivor shqiptar: dorëshkrime të plota dhe fragmente. Një pjesë e këtyre dorëshkrimeve nuk ekzistojnë në asnjë katalog, europian apo vendës. Mungon për to madje edhe ajo që quhet skedë minimaliste. Në studimin e saj paraqiten për herë të parë.
Studiuesja i ka vendosur këto dorëshkrime në kronologji e tipologji; i ka gjetur vendin e duhur secilit prej tyre në periudhizimin e përgjithshëm historik sipas alfabetit muzikor që është përdorur.
Për tre prej kodikëve muzikologjikë të Beratit dhe njërit të Vlorës, Holta Sina-Kilica ka realizuar edhe krahasime teknike në nivelin e njësisë dhe të frazës minimale muzikore.
Pjesa e zgjedhur për krahasim është një fragment i Ungjillit të Pashkëve, ku në njërën nga tri fletët e Codex Purpureus Beratinus (shek. VI), pikërisht në atë që përmban neuma dhe shkronja të së njëjtës lëndë, që do të nënkuptonte dhe të së njëjtës kohë, gjendet e njëjta shëmbëlltyrë ungjillore: Krishti u ngjall së vdekurish / Me vdekjen vdekjen mundi.
Edhe me zgjedhjen tjetër të saj, me zgjedhjen e Himnit Akathist (Ακάθιstος ύµνος), që konsiderohet himni i himneve, Holta Sina-Kilica është përballur me më të rëndësishmen, jo me më të volitshmen, dhe kjo shpreh vetpërgjegjësinë e saj profesionale-shkencore.
Shkenca dhe besimi nuk janë ndërkëmbyes dhe aq më pak përjashtues mes tyre. Tejshkrimet e Holta Sinës-Kilicës janë një dhuratë bujare për ata që nuk i njohin shkrimet e vjetra muzikore dhe një inkurajim për ndërveprim midis studiuesve të muzikës kishtare bizantine dhe atyre të traditës laike.