Akademia e Shkencave, ka nje bibliografi online për Dhimitër Shuteriqin
Akademia e Shkencave, ka nje bibliografi online për Dhimitër Shuteriqin
Kontributi publicistik, shkencor apo letrar i shkrimtarit të njohur Dhimitër Shuteriqi tashmë mund të gjendet online. Biblioteka shkencore e Akademisë së Shkencave ka përfunduar krijimin e bibliografisë së dytë online, atë të akademikut Dhimitër Shuteriqi.
Kjo bibliografi vjen pas asaj të akademik Kristo Frashërit , duke shërbyer si model dhe inovacion për të gjitha bibliotekat shqiptare, të cilat ndihmojnë në identifikimin dhe vlerësimin e rezultateve të veprimtarisë kërkimore në Shqipëri.
Bibliografia e Dhimitër Shuteriqit përmban 970 njësi bibliografike dhe është hartuar në bazë të tipologjisë shkencore të përcaktuar sipas standardit, kronologjisë historike dhe elementeve të tjera të përshkrimit bibliografik, është detajuar në mënyrë profesionale sipas fushave e nënfushave: monografi, artikuj, trajtesa, kumtime, përkthime, kritikë, vëzhgime, hulumtime etj.
Në këtë mënyrë hapësirat që krijon sistemi janë të shumëfishuara; përmes specifikës së kërkimit krijohen mundësi shumë të lehtësuara dhe zgjedhje sipas tipologjisë shkencore e kronologjike.
Bibliografia Shuteriqit është e integruar në Sistemin dhe Shërbimet e Përbashkëta Bibliografike Online (COBISS) sipas standardeve ndërkombëtare tē përshkrimit bibliografik si edhe në Sistemin Informues për Veprimtarinë Kërkimore në Shqipëri (Ecris.AL).
Në fund të çdo njësie bibliografike, ndodhet ID përkatëse që e identifikon secilën njësi në këtë sistem.
“Përgatitja e bibliografive personale të kërkuesve shkencorë nga Biblioteka Shkencore e ASh-së, e bibliografisë së akademik Kristo Frashërit dhe asaj të akademik Dhimitër Shuteriqit, shënojnë vetëm fillimin e procesit. Këto bibliografi janë modele për përgatitjen e bibliografive të studiuesve të tjerë shkencorë të vendit”, thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave.
Dhimitër Shuteriqi shkrimtar, studiues i letërsisë, profesor, akademik është një ndër personalitetet e kulturës shqiptare. Autor i një sërë veprash në prozë, Shuteriqi ka një kontribut përmes studimeve të tij për njohjen e traditave të hershme të shkrimit të shqipes, folklorit dhe disa figurave historike. Kërkimi në këto fusha është kurorëzuar me botimin e një korpusi veprash e studimesh që hedhin dritë jo vetëm në fillimet e shkrimit shqip (“Shkrimet shqipe”, 1965, 1976, dhe “Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në v. 879–1800, 2005), por dhe në rrënjët e traditave letrare-kulturore, në procese e figura të shquara të letërsisë së humanizmit, të Mesjetës dhe të Rilindjes Shqiptare, duke vënë në qarkullim tekste të panjohura dhe ide të reja shkencore. Dhimitër Shuteriqi është bashkautor dhe redaktor i veprës përgjithësuese “Historia e letërsisë shqipe” I, II (1959, 1960), botim i Universitetit të Tiranës, kryeredaktor i veprës “Historia e letërsisë shqiptare” (1983), botim i Akademisë së Shkencave; autor i monografisë “Naim Frashëri – Jeta dhe vepra” (1982); i traktatit “Metrika shqipe” (1947) dhe i përmbledhjeve me studime “Nëpër shekujt letrarë” (1973), “Gjurmime letrare” (1974), “Autorë dhe tekste” (1977), “Mbi Barletin dhe shkrime të tjera” (1979), “Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera” (1987), si dhe i shumë artikujve e studimeve të shpërndara në shtypin shkencor e periodik. Ai është një ndër themeluesit e shkollës historiografike letrare në Shqipëri. Dhimitër Shuteriqi ka lënë në dorëshkrim një varg veprash të përfunduara, Fjalorin e Naim Frashërit, Fjalorin parabuzukjan të shqipes, një Regest dokumentesh historike të v. 1397–1479 e të tjera. Dhimitër Shuteriqi është dekoruar me “Urdhrin e Flamurit”; ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë.
©Copyright Gazeta SHQIP